Qeveria ndaloi rrjetet sociale/ Protestë e përgjakshme në Nepal

Të paktën 13 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Nepal, pasi demonstratat kundër një ndalimi të qeverisë për rrjetet sociale çuan në përplasje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së demonstruesve që e përshkruajnë veten si ‘Gjenerata Z’ për t’u mbledhur pranë ndërtesës së parlamentit në Kathmandu lidhur me vendimin për të ndaluar platformat duke përfshirë Facebook, X dhe YouTube.

Ministri i Komunikimit i Nepalit, Prithvi Subba, i tha BBC-së se policia ishte e detyruar të përdorte forcë. Policia përdori pompat me ujë me presion, shkopinj gome dhe qëlloi me plumba gome.

Qeveria ka thënë se platformat e rrjeteve sociale duhet të rregullohen për të luftuar lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes dhe mashtrimet online.

Por platformat e njohura si Instagram kanë miliona përdorues në Nepal, të cilët mbështeten tek to për argëtim, lajme dhe biznes.

Demonstruesit mbanin pankarta me slogane duke përfshirë “mjaft është mjaft” dhe “fund korrupsionit”. 

Disa thanë se po protestonin kundër asaj që e quajtën sjellje autoritare të qeverisë.

Ndërsa tubimi u zhvendos në një zonë të kufizuar pranë parlamentit, disa protestues u ngjitën mbi murin rrethues.

“Gaz lotsjellës dhe pompa uji u përdorën pasi protestuesit depërtuan në zonën e ndaluar,” tha zëdhënësi i policisë Shekhar Khanal për agjencinë AFP.

Një zëdhënës i zyrës së distriktit të Kathmandu tha se një ndalim qarkullimi u vendos përreth zonave duke përfshirë ndërtesën e parlamentit pasi protestuesit tentuan të hynin brenda.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Nepalit, Rajaram Basnet, i tha BBC-së se një njësi e vogël ushtarësh ishte dislokuar në rrugë pas hyrjes në fuqi të ndalimit të qarkullimit.

Javën e kaluar autoritetet urdhëruan bllokimin e 26 platformave të rrjeteve sociale për mosrespektim të afatit për t’u regjistruar pranë Ministrisë së Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit të Nepalit.

(Pamjet nga protestat në Nepal janë bërë virale në TikTok, të cilin qeveria e mbylli për ruajtjen e “harmonisë sociale”)

Që nga e premtja, përdoruesit kanë hasur vështirësi për të hyrë në platforma, megjithëse disa po përdorin VPN për të anashkaluar ndalimin. Deri tani, dy platforma janë rihapur pasi u regjistruan pranë ministrisë pas ndalimit.

Qeveria e Nepalit ka argumentuar se nuk po ndalon rrjetet sociale, por po përpiqet t’i përshtasë ato me ligjin nepalez.

BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top