Lucas Paquetá, pasi u shpall plotësisht i pafajshëm nga akuza për baste, për të cilën rrezikonte edhe përjashtimin e përjetshëm, është gati të ngrejë një padi shumëmilionëshe kundër Football Association (FA) angleze. Braziliani ish-lojtar i Milanit po punon për këtë me avokatët e tij dhe me West Ham, me kërkesën për dëmshpërblim për shkak të mungesës së transferimit te Manchester City, i dështuar pikërisht për shkak të kontesteve gjyqësore, duke e detyruar Paquetá të hiqte dorë nga një kontratë e rëndësishme dhe “çekanët” nga një të ardhur e madhe për kartonin e tij.
Lucas Paquetá kalon në kundërsulm: “Gati ta çojmë FA-në në gjyq”
Hetimi që ishte mbështetur dhe miratuar në atë kohë nga FA kishte përkuar praktikisht me lajmin e merkatos sipas të cilit Paquetá ishte shumë i lidhur dhe afër një transferimi te Manchester City për një operacion të vlerësuar rreth 100 milionë euro. Një marrëveshje fillimisht e bllokuar, më pas e prishur krejtësisht për shkak të rrezikut që braziliani të përballej me një skualifikim të përjetshëm nëse shpallej fajtor. Avokati përfaqësues i studios ligjore të Paquetá, Alistair Campbell, theksoi situatën e krijuar dhe synimin për të ndjekur rrugën për të kërkuar dëmshpërblim: “Është sigurisht diçka që na intereson të padisim FA-në dhe këto diskutime janë në zhvillim,” – zbuloi ai për Daily Mail. “Nuk mund të them se do të shkojmë në ditët e ardhshme në gjyq, por është një rrugë që po e marrim në konsideratë në planin afatgjatë.”
Dështoi kalimi te City: Paquetá mund të kërkojë miliona
“Ai ishte në prag të transferimit te Manchester City kur ndodhi gjithçka dhe atë vit skuadra e Guardiolës fitoi Premier League: pra mbetet një boshllëk i dukshëm në vitrinën e tij të trofeve që nuk mund të mbushet më. I mandatuari im,” – vazhdoi Campbell, – “ndjehet padyshim i fyer dhe i dëmtuar. Vendimi e shfajëson plotësisht, kështu që vendimi përfundimtar do t’i takojë Lucas. Edhe sepse vendimi ishte mjaft kritik ndaj FA-së, duke ngritur dyshime mbi veprimet e saj.”
FA nuk do të bëjë apel: “Punojmë për integritetin e futbollit”
Paquetá mund kështu të përdorë dokumentet që e shfajësojnë, duke nxjerrë njëkohësisht në pah se FA ka pranuar se kishte ndërtuar akuzat duke u bazuar mbi prova rrethanore, sipas të cilave Paquetá ishte akuzuar se ishte ndëshkuar me të verdhë me qëllim që t’u lejonte miqve dhe familjarëve të bastonin mbi kartonët. Për një qarkullim parash prej rreth 50 mijë euro dhe një fitim që i kalonte 150 mijët. Nga ana e saj FA ka konfirmuar tashmë se nuk do të paraqesë asnjë apel kundër vendimit për të shfajësuar Paquetá: “FA angazhohet të garantojë që të ruhet integriteti i futbollit dhe gjithmonë do të kryhen hetime të plota dhe të thelluara mbi akuzat serioze për shkelje të rregullave,” – ka deklaruar në një njoftim.