Një paradë gjigante ushtarake në Pekin, me raketa bërthamore dhe dronë modernë, tregoi qartë ambicien e Kinës për të sfiduar Amerikën. Xi Jinping doli krah për krah me Vladimir Putinin dhe Kim Jong Un-in, duke dhënë mesazhin e një bote të re ku rendi demokratik i Perëndimit po zëvendësohet nga aleanca e “burrave të fortë”. Analiza e Financial Times shpjegon se si vizioni i Xi-së për një rend të ri global nuk ka të bëjë me demokraci apo drejtësi, por me ndarjen e botës në sfera influence ku të fortët sundojnë mbi të dobëtit.
Financial Times:
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka pasur një javë të jashtëzakonshme. Ai organizoi një samit të sigurisë ndërkombëtare shumë të ndjekur dhe mbajti një paradë madhështore ushtarake që shfaqi pajisje të teknologjisë më të lartë, që nga raketat hipersonike deri te armët me lazer. Takimi i ‘Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait’ (samit sigurie) dhe përkujtimi i disfatës së Japonisë në vitin 1945 janë së bashku demonstrime të qarta të fuqisë në rritje të Kinës dhe të ambicies së saj për të rindërtuar rendin global.
Duke folur nga ‘Porta e Paqes Qiellore’, ku në vitin 1949 Mao Ce Duni shpalli themelimin e Republikës Popullore, Xi deklaroi se ringjallja e Kinës është “e pandalshme”. Ai këmbënguli se kombi i tij nuk trembej nga kërcënimet për dhunë dhe paralajmëroi se njerëzimi edhe një herë përballej me një zgjedhje kritike mes “paqes ose luftës”.
Ndërsa kolonat e tankeve dhe dronëve kalonin përpara, lideri kinez ishte i shoqëruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Presidenti amerikan Donald Trump mbeti i sfumuar nga kjo ngjarje dhe postonte urime sarkastike në rrjetet sociale. Mërzia e tij ndoshta u zmadhua nga ndjesia se ngjarjet madhështore kineze mund të kishin errësuar paradën e tij ushtarake në Uashington në qershor.
Xi e paraqet Kinën si lojtarin qendror në fitoren ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore dhe si një mbrojtëse jetike të një rendi pas lufte të bazuar në institucionet ndërkombëtare, ligj dhe tregti të lirë, që tani kërcënohet nga Trump-i kapriçoz.
Lexo më tej: Spektakli i Kinës zbulon rreziqet e tarifave të Trump-it
Në samitin e Sigurisë në Shanghai, presidenti kinez shpalli atë që e quajti një “nismë të qeverisjes globale” të themeluar mbi parime që përfshijnë “barazinë sovrane”, “sundimin ndërkombëtar të ligjit” dhe “multilateralizmin”. Duke folur përpara më shumë se 20 liderëve botërorë, Xi tha se Kina ishte gati të “mbrojë me vendosmëri frutat e fitores sonë në luftë dhe të ofrojë më shumë përfitime për gjithë njerëzimin përmes reformës së sistemit të qeverisjes globale”.
Është një ofertë që do të rezonojë me shumë kombe të tmerruara nga sulmet e Trump mbi tregtinë, apo ngacmimet që i bën partnerëve besnikë amerikanë, dhe gatishmëria e tij për të kërcënuar integritetin territorial të aleatëve si Kanadaja dhe Danimarka.
Por vizioni i Xi-së është iluzjon. Ndërsa ai flet për respekt për sovranitetin e kombeve të tjera dhe përkushtim ndaj përparimit të njerëzimit, ai qëndron në solidaritet me Putinin, autorin e pushtimit brutal të Ukrainës, dhe Kim-in, një despot i brezit të tretë, trupat e të cilit po ndihmojnë fushatën ruse.
Kina është e lumtur të ndërhyjë në punët e vendeve të tjera kur ndien se interesat e saj kërcënohen. Ajo duket më e interesuar për të dominuar institucionet ndërkombëtare sesa për t’i bërë ato më demokratike. Dhe për gjithë pretendimet e Kinës se është një shtet që e përkrah tregtinë e lirë, sektorët e saj strategjikë ajo i mbron me mure të larta.
Mbështetja e Xi Jinping për një rend ndërkombëtar më “multi-polar” do të thotë në thelb një botë ku kombet e forta dhe burrat e fortë që i drejtojnë mund të ndajnë sfera influence ku mund të bëjnë kryesisht çfarë të duan. Kjo mund të mos jetë aq ndryshe nga mënyra siç e sheh botën Trump. Por Xi beson se ndikimi i Kinës do të rritet ndërsa ai i SHBA-së do të bjerë.
Lexo më tej: Triada e re e Lindjes: Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut tregojnë forcën në Pekin
Një botë e tillë nuk është e pashmangshme. Mungesa e përvojës luftarake të Kinës dhe spastrimi që Xi Jinping i bëri oficerëve të lartë do të thotë që fuqia ushtarake e Kinës mund të mos jetë aq e fortë sa sugjeroi parada e së mërkurës. Megjithëse liderë kombesh nga e gjithë Azia dhe rajone të tjera u dyndën në Kinë këtë javë, shumë do të frikësohen privatisht nga një zëvendësim i hegjemonisë së një SHBA-je demokratike me atë të imponuar nga Kina komuniste.
Rënia e lidershipit ndërkombëtar amerikan që ka filluar nën Trump ende mund të kthehet pas. Nëse jo, kombe dhe blloqe të tjera, veçanërisht BE, e cila vazhdimisht luan një rol shumë nën fuqinë që ka, duhet të përgatiten për të luajtur një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare. Bota me të vërtetë ka nevojë për një rend të ri global, por jo një të projektuar nga Kina e Xi Jinping.
Përgatiti ©LAPSI.AL