Shqipëria e 35 viteve pas komunizmit: Demokracia e përdhunuar dhe monopoli i elitave
Historia që nuk mbaroi me vitin 1990
Flamur Bucpapaj
Pas rënies së komunizmit në Europën Lindore, Partia e Punës dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit zhvilluan në Shqipëri një luftë të fshehtë për të ruajtur pushtetin. Ata nuk u larguan kurrë realisht. Thjesht ndryshuan emra, flamuj dhe simbole, por mbajtën kontrollin mbi politikën, ekonominë dhe mediat.
Strategjia e tyre ishte shumë e rafinuar: largimi i çdo zëri të pavarur, përjashtimi i atyre që nuk bindeshin, detyrimi për t’u larguar jashtë vendit, dhe mohim i kthimit të pronave të grabitura. Promovoheshin individë të lidhur me Sigurimin dhe Partinë e Punës, shpesh pa asnjë meritë. Në këtë mënyrë, struktura e pushtetit u ruajt e njëjtë, edhe pse në dukje vendi kishte hyrë në demokraci.
Ndërkohë, ata që u përpoqën të vepronin për liri dhe drejtësi u ndëshkuan: përjashtime, kërcënime, bllokime të karrierës dhe pengime sistematike. Kjo tregoi se demokracia në Shqipëri nuk filloi me një fondacion të vërtetë të drejtësisë, por me një rrjet të fshehtë kontrolli dhe manipulimi.
Përvoja e studentit në Shkodër
Në vitin 1990, unë isha student në Shkodër, prijës i Lëvizjes Studentore. Nuk kisha lidhje me Sigurimin; isha një ish-nxënës i përjashtuar nga shkolla Dhe gjimnazin e kisha vazhduar duke udhëtuar çdo ditë në këmbë, tre orë vajtje dhe tre orë kthim. Ishte një provë e vështirë për durim dhe vendosmërie për të studiuar
Studentët më zgjodhën të isha në krye, dhe për një kohë mendova se po sillja ndryshimin. Por realiteti ishte brutal: studentët e dhjetorit në Shkodër nuk fituan asgjë. Shumë prej atyre njerëzëve që kishin lidhje me Sigurimin u bënë deputetë, drejtorë dhe drejtues të Forumit Rinor të PD-së, ndërsa ne të tjerët që ishim vërtetë protestues u harruam.
Mbaj mend grevën e urisë që organizova dhe kryesova : vetëm profesori Xhovalin Kolombi na mbështeti. Katedra ime e historisë bënte plane kundër meje – të më pengonte në provime ose të më përjashtonte – Gjë që nuk ia arritën pasi hyri demokracia. Po të mos ishte ajo kohë ndryshimi, me siguri do të kisha përfunduar në Spaç ose Burrel.
Meritat për grevën i mori Pjetër Arbnori, i cili nuk erdhi fare për të na ndihmuar; Vetwm mbajti vetëm një fjalim kur dolëm nga greva . Ironi e fatit: Partia e Punës nuk e humbi pushtetin – ne e humbëm vendin. Na bëri të iknim, na përjashtoi, nuk na dha pronat, ndërsa të tjerët u promovuan pa asnjë meritë.
Kjo përvojë më tregoi se ndryshimi nuk është thjesht një akt simbolik; ai kërkon organizim të fortë, mbështetje të popullit dhe një strategji që të mos lejojë që elitat e vjetra të rikuperojnë kontrollin.
Demokracia e përdhunuar dhe rrotacioni i fasadës
Sot, ish-komunistët dhe trashëgimtarët e tyre vazhdojnë të kontrollojnë politikën dhe ekonominë. Rrotacioni formal i pushtetit është thjesht një fasadë: çdo qeveri duket se ndryshon, por strukturat e vjetra mbeten të pandryshuara.
Çdo institucion, nga media deri te administrata publike, vazhdon të funksionojë nën ndikimin e të njëjtave rrjete klienteliste. Sistemi i konkurrencës nuk ekziston. Çdo tender i madh duket i përcaktuar për disa kompani të lidhura me pushtetin. Kushtet e tenderëve janë bërë qëllimisht për ta; nuk ka hapësirë për kompani të reja.
Një shembull konkret është mënyra se si ish-komunistët dhe sigurimsat dolën në protesta masive kundër individëve të rinj dhe nismave të pavarura, ku unë dhe kompani si Tplani Shpk u përjashtuam nga çdo pjesëmarrje në ekonominë e tregut. Ata nuk na lejojnë të marrim pjesë në projekte publike, në restaurime apo investime. Në këtë mënyrë, vetëm një pakicë e lidhur me pushtetin ka qasje, si “Hotel i Rilindjes” në Valbonw, “ Mediat e Sandrit e Vjollcës” Apo fushat mediatike të kontrolluara nga rrjetet e vjetra.
Licencat strategjike dhe kontratat jepen me porosi; çdo iniciativë e re pengohet. Kjo tregon qartë se demokracia dhe liria ekonomike janë përdhunuar në emër të interesave të ngushta politike dhe të elitave që nuk duan konkurrencë.
Ministritë dhe klientelizmi i hapur
Çdo ministër duket se ka “privatizuar” sektorin e vet. Licencat dhe kontratat jepen shpesh me porosi atyre që dhanë votat ose kanë lidhje direkte me pushtetin. Klientelizmi është hapur dhe i dukshëm. Monopoli është gjithkah: Nuk ka konkurrencë reale, nuk ka mundësi për kompani të reja, dhe çdo hap i shtetit duket i përshtatur për të mbrojtur interesat e një grushti njerëzish.
Edhe inovacioni ekonomik dhe zhvillimi i sektorëve të rinj janë bllokuar. Licencat dhe privilegjet ruhen si monopol, ndërsa shumica e qytetarëve mbeten jashtë çdo mundësie reale konkurrimi. Politika ekonomike duket thjesht një instrument për të ruajtur privilegjet e elitave të vjetra.
Kjo situatë krijon një hendek të madh mes qytetarëve dhe pushtetit, duke forcuar një ndjenjë zhgënjimi dhe pafuqie, dhe duke paralizuar iniciativat që mund të sfidojnë sistemin.
Opozita e dobët dhe qeveria që jeton deri në 2040
Fatkeqësisht, edhe opozita ka mbetur e dobët dhe pa strategji reale për të sfiduar këtë sistem. Kjo qeveri dhe trashëgimtarët e ish-komunistëve duket se do të qëndrojnë në pushtet deri në vitin 2040, duke mbajtur të pandryshuar kontrollin mbi çdo institucion dhe sektor ekonomik. Ndryshimet janë vetëm fasadë, ndërsa monopoli, klientelizmi dhe favorizimet vazhdojnë të jenë normë.
Në mungesë të një opozite të fuqishme dhe të organizuar, qytetarët mbeten të izoluar dhe pa mundësi reale për të ndryshuar kursin e vendit. Kjo e bën emergjente nevojën për një mobilizim qytetar të gjerë, i cili të sfidojë strukturat e pushtetit dhe të rikthejë lirinë e vendimmarrjes politike.
Koha për të dalë sërish në rrugë
Është koha që qytetarët të reagojnë dhe të rikthejnë demokracinë reale. Ashtu si në vitin 1990, duhet të dalim sërish në rrugë, të kërkojmë drejtësi, transparencë dhe liri të vërtetë. Vetëm duke u aktivizuar dhe duke mos pranuar fasadën e rrotacionit të pushtetit, mund të ndalet monopoli, klientelizmi dhe kontrolli i elitave të vjetra.
Koha është tani. Të gjithë duhet të jemi pjesë e ndryshimit, të rikthejmë konkurrencën, të mbrojmë pronën dhe të rivendosim shtetin e ligjit mbi favorizimet dhe interesat e një grushti njerëzish. Vetëm kështu Shqipëria mund të kthehet në një vend ku meritokracia, demokracia dhe drejtësia nuk janë më premtime të zbrazëta, por realitet për çdo qytetar.