David Luiz, mbrojtësi brazilian ish-lojtar i Chelsea, PSG dhe Arsenal e aktualisht te qipriotët e Pafos, ka përfunduar në qendër të një ngjarjeje të shëmtuar. Futbollisti 38-vjeçar, që do të përballet me Juventusin në Champions, është akuzuar nga një grua, Francisca Karollainy Barbosa Cavalcante, për agresion dhe kërcënime, pas një marrëdhënieje jashtëmartesore që kishte ndodhur kur Luiz luante për Fortaleza. Pas ditësh heshtjeje, lojtari vendosi të sqarojë pozicionin e tij në një video.
Kërcënime me vdekje e dhunë, akuzat poshtëruese për David Luiz
Gjykata e Cearà-s i ka dhënë masa mbrojtëse asistentes sociale, e njohur më mirë vetëm si Karol. Kjo e fundit ka denoncuar David Luiz për kërcënime me vdekje dhe dhunë psikologjike pas përfundimit të marrëdhënies së tyre të supozuar. Pavarësisht mohimeve të drejtpërdrejta të të interesuarit, u konsideruan të besueshme screenshot-et e bisedave mes të dyve që kishin ndodhur nëpër rrjete sociale dhe ishin bashkëngjitur procesit.
Rikonstruksioni i ngjarjes
Gruaja ka deklaruar se ndihej në rrezik real, sipas sa raporton UOL.com.br: “Pasi marrëdhënia kishte mbaruar, ai nisi të më kërcënonte vazhdimisht. Mora, nga Instagrami, një mesazh të dërguar nga vetë David Luiz që përmbante këto fjalë: ‘E di që kam para dhe pushtet, prandaj mos u bëj e zgjuar. Do të ishte e trishtueshme për djalin tënd të duhej të paguante pasojat e veprimeve të tua. Mund vetëm të të bëj të zhdukesh.’ E bëri të qartë që mund të më bënte të zhdukesha. Deklaroj se ndihem jashtëzakonisht e intimiduar dhe në rrezik real për jetën, përveçse frikësohem për sigurinë e djalit tim”.
Sipas avokatëve të Cavalcante, mbrojtësi do ta kishte kërkuar të renë në rrjetet sociale, duke fshehur informacionin se ishte i martuar, dhe kërcënimet nisën pasi ajo refuzoi të pranonte një propozim për të kryer një “trisal”, domethënë një marrëdhënie mes tre personash në të njëjtën kohë.
David Luiz mbrohet në një video në rrjete sociale
David Luiz, në një video të publikuar në rrjetet sociale, ka mohuar të gjitha akuzat: *“Mendoj se të gjithë i keni parë lajmet e fundit që kanë dalë lidhur me jetën time, dhe tani erdha këtu për t’ju folur. Nuk e bëra këtë video më parë për angazhimet me klubin tim të ri, me debutimin tim, duke i dhënë prioritet objektivit kolektiv para problemeve individuale, por tani ka ardhur momenti për të folur.
Unë nuk kam kërcënuar kurrë askënd, nuk e kam kërcënuar kurrë këtë person, nuk kam qenë kurrë me këtë person ballë për ballë, nuk kam qenë kurrë në hotelin ku ajo thotë se unë do të kisha qenë. Që nga java e kaluar është vënë në dispozicion të shtypit, për këdo që donte, e-mail-i origjinal i hotelit që konfirmon se unë nuk kam qenë kurrë aty.
Lexo më tej: David Luiz nuk njihet më: në një video shpjegon çfarë po ndodh me flokët e tij
Për fat të keq gjërat dolën jashtë kontrollit, ishte një moment shumë i keq, shumë i pakëndshëm, por jam këtu me zemër të hapur për t’ju thënë që kam gabuar, po, kam gabuar duke shkëmbyer mesazhe me këtë person, por unë nuk e kam kërcënuar kurrë, kurrë dhe përsëri kurrë as atë, as ndonjë tjetër në jetën time, dhe nuk kam qenë kurrë me këtë person ballë për ballë.
Masat ligjore tashmë janë marrë dhe shpresoj që drejtësia të bëhet sa më shpejt e mundur dhe që të gjithë të mund të njohin të vërtetën e vërtetë. Ju falënderoj që tani për mbështetjen e të gjithëve, për mesazhet që kam marrë, dhe që Zoti të bekojë të gjithë. Faleminderit”.*