Carlo Ancelotti pak ditë më parë kishte shpallur listën e grumbullimeve për Brazilin e tij, tashmë të kualifikuar në Botërorin 2026, për dy ndeshjet kualifikuese në Grupin e Amerikës së Jugut, duke shkaktuar më shumë se një surprizë të thjeshtë me përjashtime të bujshme. Trajneri i ri i Seleçaos kishte lënë jashtë lojtarë të kalibrit të Vinicius, Rodrygo dhe Neymar, duke dhënë si arsye gjendjen jo të qëndrueshme fizike dhe dëmtimet. O’Ney, me rastin e parë, i ka mohuar krejtësisht fjalët e teknikut Ancelotti: “Dëmtim? Jo, jam përjashtuar thjesht për një zgjedhje teknike”.
Neymar luan rregullisht me Santos: “Kam qenë i pezulluar, jo i dëmtuar”
E vështirë të mendohet se Neymar nuk do të kishte mundur të luante për Brazilin në prag të dy sfidave të fundit për mbylljen e kalendarit të kualifikimeve botërore, duke qenë se në fundjavën e fundit kampioni brazilian zbriti rregullisht në fushë me fanellën e Santos përballë Fluminenses së mikut Thiago Silva, ndeshje që përfundoi pa gola. Duke shpjeguar situatën e tij, larg problemeve fizike. “Kundër Bahia, të dielën e kaluar, nuk do të kisha luajtur për shkak të një pezullimi,” shpjegoi Neymar pas ndeshjes, “dhe për këtë arsye ramë dakord të më linim pushim në stërvitje, për t’u rikuperuar sa më mirë”. Pastaj goditja e bujshme ndaj Ancelottit.
Neymar përgënjeshtron teknikun Ancelotti
Çështja e mungesës së Neymar në Brazilin e Ancelottit ka nxitur një mori komentesh në atdhe, me lojtarin që hodhi në tavolinë “gurësh të rëndë”, duke hapur edhe më tej debatin mbi zgjedhjet e trajnerit të ri. “Mendoj se jam përjashtuar nga grumbullimi i Seleçaos për arsye teknike. Nuk jam i dëmtuar, besoj se zgjedhja nuk ka të bëjë fare me gjendjen time fizike. Ishte një vendim i trajnerit.” Fjalë që në Brazil kanë jehuar tashmë si një thumbim helmues ndaj Ancelottit, i mohuar krejtësisht për arsyet që kishte dhënë në konferencë për shtyp.
"Fiquei de fora por opção técnica mesmo, não tem nada de condição física"
Neymar falou sobre o gol anulado no último minuto e falou sobre não ter sido convocado por Ancelotti para a Seleção. E aí, o que achou? #Santos #Neymar #Fluminense #seleçãobrasileira pic.twitter.com/DSxP0MvZwb
— ge (@geglobo) August 31, 2025
Fjalët e teknikut: “Për të luajtur në Kombëtare duhet të jesh në gjendje perfekte”
Mungesa e golashënuesit më të madh në historinë e Seleçaos me 79 gola në 128 ndeshje, për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Botërorin 2026, kishte qenë në qendër të listës së grumbullimeve të Ancelottit, i cili e kishte lënë jashtë: “Neymar, nuk kemi nevojë ta provojmë. Të gjithë e njohin. Si të tjerët, duhet të vijë në gjendje të mirë fizike për ta ndihmuar Kombëtaren të japë maksimumin në Botëror”, kishte thënë Ancelotti pas shpalljes së listës, ku mungonin gjithashtu Vinicius dhe Rodrygo.
“Shpjegime? Kanë numrin tim të telefonit, nëse duan,” kishte ironizuar më pas trajneri. Tashmë i kualifikuar për Kupën e Botës 2026, Brazili do të përballet me Kilin në dy ndeshjet e fundit të kualifikimeve të Amerikës së Jugut më 4 shtator në stadiumin Maracanã të Rio de Janeiros, përpara se të shkojë më pas në Bolivi.