Tarifat e Trump ndryshuan ekuilibrat/ India, e ftuara e nderit në Samitin e Kinës

Presidenti kinez Xi Jinping të dielën shtriu tapetin e kuq për presidentin rus Vladimir Putin, kryeministrin indian Narendra Modi dhe rreth 20 liderë të tjerë shtetesh që mbërritën për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Samiti euro-aziatik politik dhe i sigurisë, i mbajtur këtë vit në Tianxhin, është një takim i krijuar për të forcuar ndikimin e Pekinit dhe për të promovuar vizionin e tij për një “rend botëror multipolar.” I ngritur në vitin 2001, ai nisi me Kinën, Rusinë dhe katër shtete të Azisë Qendrore, si një kundërpeshë ndaj aleancave perëndimore si NATO.

Sot ai numëron 10 anëtarë dhe 16 partnerë dialogu e vëzhgues.

Këtë vit, samiti do të fokusohet kryesisht te lufta tregtare e presidentit amerikan Donald Trump. Trump ka vendosur tarifa prej 50 përqind mbi mallrat indiane për shkak të blerjeve të vazhdueshme të Nju Delhit të naftës ruse. Ndërkohë Putin po përballet me sanksione të reja perëndimore të lidhura me luftën e tij të vazhdueshme në Ukrainë.

“Si dreqin e arriti Trump ta largojë aq shumë Modin, sa ky tani po merr pjesë në një samit me autokratët Xi dhe Putin?” shkroi në X Michael McFaul, studiues i lartë në Hoover dhe ish-ambasador i SHBA në Rusi. “Vetëm vitin e kaluar, Kina dhe India ishin në luftë me njëra-tjetrën!” shtoi ai.

Të dy, si Xi ashtu edhe Modi, duken të interesuar për një rivendosje të marrëdhënieve, të cilat prej kohësh kanë qenë të tensionuara nga mosbesimi dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare. Analistët paralajmërojnë se rreziku shkon përtej Azisë. Siç e shprehën studiuesit e Chatham House, Chietigj Bajpaee dhe Yu Jie: “Ajo që ndodh në këtë marrëdhënie ka rëndësi për pjesën tjetër të botës.”

“Nëse vendet perëndimore, veçanërisht SHBA, janë serioze për ta mbështetur Indinë si një digë kundër një Kine në rritje, ato duhet të zhvillojnë pritshmëri më realiste për atë që India mund të ofrojë,” shkruan ata në një analizë të fundit.

“India nuk do të bëhej kurrë diga kundër Kinës ashtu siç menduan Perëndimi (dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti). … Vizita e Modit në Kinë shënon një pikë potenciale kthese,” theksuan ata.

Putin do të qëndrojë në Kinë deri të mërkurën, kur Xi do të presë një paradë ushtarake për të përkujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore, pas dorëzimit formal të Japonisë. Përkrah Putinit dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në paradë do të marrë pjesë edhe kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç./Politico.eu

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top