Në javën e 3-të të Premier League, Chelsea regjistron fitoren e dytë radhazi dhe ngjitet në krye (në pritje të Liverpool dhe Arsenal): skuadra e teknikut Maresca mposht 2-0 Fulham. Shpëton në limit falë një penalltie të Bruno Fernandes Manchester United, që mund 3-2 Burnley: i njëjti rezultat edhe në fitoren në transfertë të Everton ndaj Wolves. Humbja e parë e Tottenham, 1-0 kundër Bournemouth, ndërsa Sunderland mposht Brentford 2-1.
CHELSEA-FULHAM 2-0
Nuk mungojnë polemikat në ndeshjen që hap të shtunën e Premier League, me Chelsean që mposht 2-0 Fulham nën sytë e Alejandro Garnacho (blerja e fundit e Blues). Cottagers protestojnë për dy episode kyçe, në një sfidë shumë nervoze dhe pak spektakolare, si edhe për rishikimet në VAR. Sfida nis me një dëmtim për Blues, që humbasin Delap: hyn George dhe Joao Pedro spostohet në sulm, duke rrezikuar menjëherë golin. Por ngrihet në lojë Fulham në minutat pasuese dhe, në të 21-ën, gjen golin me King: pas një rishikimi shumë të gjatë, arbitri e anulon për një shtytje të Muniz ndaj Chalobah. Një vendim që duket i tepruar dhe që sipas Cottagers ndëshkon një duel loje, të cilët nuk e humbasin qetësinë: trefish rastesh, por goli nuk vjen.
Dhe kështu, në minutën e nëntë të shtesës ndodh befasia: aksioni i fundit i pjesës së parë është një goditje nga këndi, nga e cila Joao Pedro shënon me kokë për 1-0. Në pjesën e dytë vjen episodi tjetër që i tërbon Cottagers, pra penalltia e dhënë për Chelsean dhe e kthyer në gol nga Enzo Fernandez (56’): prekje me dorë e Sessegnon është e qartë, por më parë ka një prekje me dorë nga Joao Pedro që do të anulonte gjithçka. Arbitri rishikon aksionin për pesë minuta të gjata dhe e konfirmon penalltinë: zemërim nga Cottagers dhe, nga ai moment, luhet shumë pak. Nervozizmi mbizotëron dhe Chelsea shkon pranë trisit me Joao Pedro. Por përfundon 2-0, Maresca fiton mes polemikave dhe ngjitet në kuotën 7 pikë. Fulham mbetet në kuotën dy.
MANCHESTER UNITED-BURNLEY 3-2
Shpëton në limit Manchester United, që mposht 3-2 Burnley në Old Trafford dhe kthehet te buzëqeshja pas eliminimit në Carabao Cup. Skuadra e Amorim është mjaft bindëse gjatë pjesës së parë, dhe arrin të kalojë në avantazh në minutën e 27 falë autogolit të Cullen. Miqtë pas pushimit janë më intensivë, dhe në minutën e 55 gjejnë golin e barazimit: Larsen shërben për 1-1 të Foster. Reagimi i Red Devils këtë herë është i menjëhershëm: dy minuta më pas Dalot jep asistin për avantazhin e ri të firmosur nga Mbeumo.
Më pak se dhjetë minuta më pas, megjithatë, United sërish fundoset: në minutën e 66 Anthony, i vetëm në zonë, shënon për 2-2. Kur gjithçka lë të mendohet për një tjetër zhgënjim për Red Devils, ja që vjen episodi që ndryshon ndeshjen: në minutën e 97 Bruno Fernandes dhuron tre pikë të rënda për të tijtë duke shënuar penalltinë që vlen 3-2 përfundimtar. Manchester United ngjitet në 4 pikë në renditje, Burnley mbetet në kuotën 3.
TOTTENHAM-BOURNEMOUTH 0-1
Pas fitores së bukur kundër Manchester City, Tottenham bie në shtëpi 1-0 kundër Bournemouth. Në ditën e prezantimit të goditjes së madhe Xavi Simons, Spurs pësojnë gol në minutën e pestë: Cherries hapin dhe zgjidhin ndeshjen falë brazilianit Evanilson. Burrat e Frank, pas golit të pësuar, nisin të kërkojnë barazimin, por pa arritur. Miqtë shkojnë pranë goditjes së nokaut disa herë, sidomos në fillim të pjesës së dytë, por ndeshja mbyllet 1-0. Humbja e parë sezonale për Tottenham, që nuk arrin trisin e fitoreve në nisje të kampionatit. Spurs, me 6 pikë, kapen pikërisht nga Bournemouth.
WOLVERHAMPTON-EVERTON 2-3
Goditje në transfertë e Everton, që mposht 3-2 Wolverhampton në Molineux. Ndeshja hapet menjëherë dhe miqtë kalojnë në avantazh në minutën e shtatë me ish-lojtarin e Udinese, Beto. Verdhezinjtë reagojnë, duke barazuar në minutën e 21 me Hwang, por Toffees kanë një intensitet krejt tjetër në pjesën e parë: në minutën e 33 Ndiaye e çon sërish Everton-in përpara, në 2-1 (në pushim). Në fillim të pjesës së dytë burrat e Moyes realizojnë tris-in me Dewsbury-Hall (55’). Gomes në minutën e 79 përpiqet të ndezë sërish formacionin e trajnuar nga Vitor Pereira, por është sinjali i fundit i ndeshjes: fiton Everton 3-2 dhe ngjitet në kuotën 6 pikë në renditje. Wolverhampton mbetet në 0, me tre humbje në tre ndeshje.
SUNDERLAND-BRENTFORD 2-1
Ashtu si në rastin e Manchester United, edhe Sunderland rrëmben tre pikë në shtesë: Brentford i mposhtur 2-1. Pjesa e parë zhvillohet me ritme mjaft të ulëta, me raste që mungojnë dhe sfidën që në mes është ende 0-0. Gjërat ndryshojnë pas pushimit, kur Bees e zhbllokojnë ndeshjen falë golit të Igor Thiago në minutën e 77 pas asistit të Onyeka. Pesë minuta më pas ish-lojtari i Romës, Le Fee, e kthen sfidën në barazim me penallti, me të dy skuadrat në 1-1 tetë minuta plus shtesë nga fundi. Shtesa rezulton vendimtare: në minutën e 96 Isidor shpërthen Stadium of Light duke shënuar një gol shumë të rëndësishëm që plotëson përmbysjen dhe vlen fitoren e dytë në tre ndeshje për të sapongjiturit. Brentford pëson sërish humbje, e dyta në tre ndeshje për burrat e Andrews.
Premier League England
Chelsea 2-0 Fulham
Manchester United 3-2 Burnley
Sunderland 2-1 Brentford
Tottenham Hotspur 0-1 AFC Bournemouth
Wolves 2-3 Everton