Debuton Teuta në Arenën e Demave, e pret Partizani: tre ndeshje delikate në Superiore

 

Kampionati Abissnet Superiore do të dhurojë një tjetër esencë të tij sot, për të kuptuar më mirë forcën dhe kapacitetet e skuadrave, edhe pse ka edhe një debutim, duke qenë se Teuta ende nuk ka zbritur në fushë me ndeshjen e javës së parë kundër Dinamos të shtyrë për në 5 shtator.

Tre ndeshje ngrenë siparin e javës së dytë të Abissnet Superiore, me Bylis që do të zbresë i pari në fushë në orën 16.00 për të pritur Flamurtarin. Me ndeshjen të këmbyer nga Vlora në Ballsh kuqezinjtë nuk mund të lejojnë hap të dytë fals, sidomos pas asaj humbje të pabesueshme në Elbasan me një autogol të Rodriguez, që ka përfaqësuar dikur edhe Real Madrid. Investimet e mëdha të Idrizit e detyrojnë skuadrën të kërkojë fitoren, por një ekspert si Mirel Josa di të përballojë presionin. Bylis i tij, pas barazimit në debutim me Tiranën, do të kërkojë një tjetër rezultat pozitiv, për më tepër që luan sërish në shtëpi.

Në mbrëmje është koha e pretendentëve me Partizanin që pasi mposhti Vorën kërkon të marrë vendin e parë në renditje, përballë Teutës. Durrsakët janë skuadra e panjohur, duke qenë se nuk ka luajtu ende një ndeshje zyrtare, pas transformimit të rëndësishëm në drejtues e organikë. Milinkovic shpreson që skuadra të marrë rezultatin, por edhe të tregojë lojën, që mungoi në ndeshjen e parë. Dobi në anën tjetër synon goditjen e madhe në kryeqytet.

Në Rrogozhinë, po në orën 20.00, Egnatia do të presë Elbasanin. Tetova pasi doli i mundur nga Shkodra, kërkon rikuperimin e situatës në shtëpi përballë verdhebluve, që vijnë nga fitorja në debutim. Gvozdenovic e di mire se e pret një ndeshje delikate, edhe pse kampionët në fuqi ende nuk janë kolauduar plotësisht, duke parë lëvizjet e lojtarëve që ende vazhdojnë.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top