Sting është përballur me një padi nga ish-bashkëpunëtorët e tij në grupin The Police, konfirmon The Post.
Këngëtari britanik, 73 vjeç, është paditur në Londër nga gitari Andy Summers dhe bateristi Stewart Copeland për të drejtat mbi këngën e tyre më të njohur, “Every Breath You Take”.
Sting thuhet se fiton rreth 740,000 dollarë në vit nga royalties (të drejtat e autorit) për këtë këngë, e cila është ndër pesë këngët më të shitura të viteve 1980. Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë kredi për shkrimin e këngës dhe asnjë pagesë nga suksesi komercial i saj.
Dokumentet e gjykatës së Lartë të Londrës, të cilat i ka parë The Post, përfshijnë kontrata dhe marrëveshje komerciale që përfshijnë Sting me emrin e tij të vërtetë, Gordon Matthew Sumner, si dhe kompaninë e tij, Magnetic Publishing Limited.
Një burim i tha gazetës The Sun se “ky proces ishte i pritshëm prej kohësh. Avokatët përpiqeshin të gjenin një marrëveshje jashtë gjykatës, por nuk arritën dot. Andy dhe Stewart vendosën që të shkojnë në gjykatë pasi pretendojnë se u detyrohen miliona në royalties të papaguara.”
The Police u formua në Londër në vitin 1977 nga Stewart Copeland dhe u bë menjëherë i famshëm me albumin e tyre të vitit 1979, “Reggatta de Blanc”. Grupi pati disa hite të mëdha, duke përfshirë pesë këngë që arritën numrin 1 në Mbretërinë e Bashkuar.
Por marrëdhëniet midis anëtarëve nuk ishin të mira, dhe grupi u ndanë pas turneut të tyre të vitit 1984. Pas ndarjes, Sting nisi një karrierë të suksesshme solo me hite si “Fields of Gold”, “Shape of My Heart” dhe “Englishman in New York.”