Pasi pa të dështonte ardhja e Harder, Milani sigurohet në sulm me Christopher Nkunku, që vjen nga Chelsea. Jemi përballë një tratative të shpejtë, e nisur mbrëmjen e së mërkurës dhe që tashmë ka mbërritur në finish. Për francezin, i ndjekur gjatë edhe nga Bayern Munchen, kuqezinjtë do të paguajnë 37 milionë euro plus 5 milionë bonus, për një shifër që mund të arrijë maksimumin prej 42 milionësh. Sulmuesi, i cili ka jetuar momentin e tij të artë te Leipzig në sezonin 2022/2023 (23 gola në 36 paraqitje), do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me rreth 5 milionë euro. Sipas The Athletic, Blues tashmë e kanë autorizuar Nkunku të mbërrijë në Milano për vizitat mjekësore të zakonshme.
Në këto orë, vendimtare edhe në frontin e daljeve (për t’u përcaktuar shitjet e Musah te Atalanta, Jimenez te Como dhe Chukwueze te Fulham), kuqezinjtë janë aktivë edhe në pista të tjera për repartin ofensiv. Nuk është sekret që Allegri dëshiron të ketë në dispozicion edhe një qendërsulmues. Nëse profili i Dusan Vlahovic e entuziazmon trajnerin, por më pak pronësinë, atëherë emri i Artem Dovbyk mund të bëjë që pothuajse të gjithë të bien dakord. Ukrainasi është në dalje nga Roma dhe tratativa me Villarrealin nuk ka nisur kurrë realisht. Mbetet për t’u kuptuar formula e mundshme e marrëveshjes mes Milanit dhe verdhekuqve: tratativa nuk është nga më të lehtat. Kujdes për një shkëmbim të mundshëm me Santiago Gimenez, shumë i kritikuar nga tifozët e Milanit në paraqitjet e fundit.
Kush është Nkunku?
Nkunku është një “jolly” ofensiv i plotë, teknik dhe i gjithanshëm, i cili në 356 paraqitje në të gjitha garat deri tani ka grumbulluar 113 gola dhe 71 asist. Një profil interesant për çdo trajner, por jo gjithmonë me rendiment konstant. Francez me origjinë kongoleze, Nkunku u rrit në sektorin e të rinjve të Paris Saint-Germain, duke debutuar në ekipin e parë në vitin 2015 në Champions kundër Shakhtar Donetsk. Me fanellën e klubit parizien fitoi disa tituj, përfshirë tre Ligue 1 dhe dy Kupa të Francës, por duke gjetur pak hapësirë si titullar, në verën e vitit 2019 kalon te Leipzig me transferim përfundimtar për 6 milionë euro. Në Bundesliga, francezi kompleton rritjen e tij tekniko-taktike, duke avancuar disa metra më lart në fushë dhe duke u bërë një nga lojtarët më efektivë para portës.
Në sezonin e parë dhe të dytë në Gjermani, Nkunku përshtatet me ambientin e ri duke firmosur 5 gola dhe 16 asist në 44 paraqitje dhe 7 gola e 11 asist në 40 paraqitje, më pas nga viti i tretë ndryshon hap duke shpërthyer në aspektin realizues. Në sezonin 2021/22 realizon 35 gola dhe 20 asist në 52 paraqitje, duke fituar edhe titullin si lojtari më i mirë i Bundesligës, pastaj, pavarësisht disa problemeve muskulare, në sezonin pasardhës regjistron 23 gola dhe 9 asist në 36 paraqitje. Paraqitje që i lejojnë të bëjë hapin e madh drejt Premier League.
Në vitin 2023, Nkunku mbërrin te Chelsea për 65 milionë euro, por impakti me kampionatin anglez nuk është nga më të mirët. Një dëmtim në gju e mban jashtë menjëherë deri në dhjetor, më pas një tjetër problem muskulor në kofshë e lë jashtë loje nga marsi deri në fillim të majit dhe e mbyll vitin me vetëm 14 paraqitje e 3 gola. Shumë më mirë, përkundrazi, sezoni i dytë te Chelsea. Në sezonin 2024/2025, Nkunku grumbullon 48 paraqitje dhe shënon 15 gola e 5 asist, duke fituar edhe Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara. Shifra që konfirmojnë marrëdhënien e mirë me golin të sulmuesit, por edhe një rendiment disi të luhatshëm, të lidhur me gjendjen fizike që duhet menaxhuar me kujdes.