Nga 15 shtatori, tuneli i Llogarasë do të jetë me pagesë

Qarkullimi në tunelin e Llogarasë, i hapur për publikun gjatë këtij sezoni turistik, është parashikuar të mbetet pa pagesë deri më 15 shtator, ndërsa më pas do të nisë aplikimi i tarifës prej 10 eurosh për vajtje-ardhje për çdo automjet. Vepra infrastrukturore, me gjatësi 5.9 kilometra, ka reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Dukati drejt Palasës, që tashmë përshkohet për vetëm 7 minuta, nga 45 që kërkoheshin më parë përmes Qafës së Llogarasë.

Tuneli është ndërtuar me dy kalime, një kryesor dhe një emergjence, ndërsa sipas parashikimeve zyrtare, në rast të rritjes së fluksit turistik, të dy do të vihen në shërbim të qarkullimit. Menaxhimi i pagesave do të kryhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionere me kapital shtetëror që përfaqësohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të ketë përgjegjësinë për operimin dhe mirëmbajtjen e portave automatike, administrimin e sistemit të tarifimit, si dhe shpërndarjen e biletave dhe aboneve mujore për përdoruesit.

Aktualisht, pagesa e kalimit zbatohet në tri segmente të tjera rrugore: Milot-Morinë, Thumanë-Kashar dhe Dukat-Palasë. Megjithatë, ndërtimi i tunelit të Llogarasë është shoqëruar që në fillim me akuza të forta për abuzim me fondet publike. Më 12 gusht 2024, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dorëzoi në Prokurorinë e Posaçme një kallëzim penal ku denonconte atë që e cilësonte si një ndër aferat më të mëdha korruptive në vend, duke pretenduar se abuzimi kapte shifrën e të paktën 50 milionë eurove.

Në vijim të këtyre akuzave, në prill 2025 SPAK regjistroi procedimin penal dhe nisi hetimin për të verifikuar mënyrën se si është realizuar ndërtimi i kësaj vepre të infrastrukturës rrugore, duke sekuestruar dokumentacionin e kompanisë “Hill International NV”, e cila ka qenë e përfshirë në zbatimin e projektit.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top