Edon Zhegrova njoftoi të martën se është pajisur me pasaportën shqiptare, një hap që rrit mundësitë për transferimin e tij nga Lille te Juventusi.
Klubi italian vazhdon të tregojë interes për Zhegrovën, që është identifikuar nga menaxhmenti i Bianconerëve si zëvendësues i mundshëm i Nico Gonzalez, në rast se argjentinasi transferohet te Atletico Madrid.
Sipas Corriere dello Sport, priten kontakte të mëtejshme midis të mërkurës dhe të enjtes, ndërsa Juventusi thuhet se është gati të bëjë një ofertë zyrtare për klubin francez, fillimisht në vlerën 20 milionë euro.
Megjithatë, një marrëveshje paraprake është arritur me vetë Zhegrovën për një kontratë pesëvjeçare me vlerë rreth 2.5 milionë euro në vit.
Transferimi ka marrë një shtysë shtesë pas marrjes së pasaportës shqiptare, të cilën Zhegrova e bëri publike përmes një ‘story’ në Instagram, duke shpërndarë dekretin e presidentit Bajram Begaj për dhënien e shtetësisë.