Asambleja e Partisë Socialiste, ku zakonisht kryeministri Edi Rama bën publike ndryshimet në kabinet, nuk është thirrur ende dhe pritet të zhvillohet në shtator. Deri atëherë, socialistët mbeten në pritje për të mësuar nëse do të ketë lëvizje në qeveri. Pas rikthimit nga pushimet, Rama ka zhvilluar takime me disa prej drejtuesve kryesorë të mazhorancës dhe me ministrat e kabinetit.
Në zyrën e tij janë paraqitur zv.kryeministrja Belinda Balluku, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe kreu i Grupit Parlamentar, Niko Peleshi. Sot, Rama ka pritur thuajse të gjithë ministrat, ndërsa në mesditë është regjistruar edhe një takim me ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, biznesmeni kompania e të cilit është e angazhuar në ndërtimin e aeroportit të Vlorës raporton A2 News.
Burime nga PS bëjnë të ditur se diskutimet kanë qenë më shumë mbi organizimin e komisioneve parlamentare sesa mbi emra të rinj ministrash. Mazhoranca synon ngritjen e 11 komisioneve të përhershme, përfshirë Komisionin Antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ndërsa Komisioni i Dezinformimit i udhëhequr nga Erion Braçe nuk do të vijojë. Sipas të njëjtave burime, ristrukturimi lidhet me përshtatjen e punës së Kuvendit me grupkapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, çka do të kërkojë edhe ndryshime në rregulloren e parlamentit.