Portieri i kombëtares italiane dhe aktualisht pjesë e Paris Saint Germain, Gianluigi Donnarumma është shumë pranë një transferimi të bujshëm te Manchester City, pasi ka arritur marrëveshje personale me ekipin e Premier League.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili raporton se 26-vjeçari ka rënë dakord me “Qytetarët” për kushtet personale, ndërsa bisedimet mes dy klubeve janë ende në vijim për të përcaktuar shumën përfundimtare të transferimit.
Donnarumma, që prej disa sezonesh konsiderohet si një nga portierët më të mirë në botë, është lënë jashtë planeve të PSG-së këtë verë. Klubi francez ka vendosur t’i besojë Lucas Chevalier, i blerë për 50 milionë euro nga Lille, si gardianin kryesor të portës, çka ka bërë që italiani të përjashtohet nga stërvitjet me skuadrën dhe të kërkojë një destinacion të ri përpara mbylljes së merkatos.
Të premten në mbrëmje, Donnarumma u pa duke përshëndetur tifozët në ‘Parkun e Princave’, një sinjal i qartë i largimit të tij të afërt nga kryeqyteti francez.