Pakujdesia e një shoferi të dehur ka tronditur mbrëmjen e 24 gushtit në aksin Delvinë–Sarandë, duke i marrë jetën dy motrave të reja Elvisa dhe Rozina Dhimaku, respektivisht 22 dhe 20 vjeçe, ndërsa shoqja e tyre Antonela Zhupa, 24 vjeçe, ndodhet e plagosur rëndë në spital nën kujdesin e mjekëve.
Përballë tyre, në korsinë e gabuar dhe krejtësisht jashtë kontrollit për shkak të alkoolit të konsumuar, drejtonte një fuoristradë tip “Audi” 23-vjeçari Kevi Norra, banues në Fier dhe me detyrë specialist pranë Ministrisë së Brendshme, i cili pas përplasjes frontale u arrestua në vendngjarje nga policia.

Testet e alkoolit e nxorrën atë me 1.52 dhe 1.42 mg/l, shifra shumë të larta që dëshmojnë për gjendjen e tij në timon, ndërsa akuzat që e presin tashmë janë të rënda, nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, deri te vrasja nga pakujdesia e dy personave.
Vajzat po udhëtonin me makinën e tyre tip “Lancia”, në drejtim të Sarandës, kur Norra, i cili lëvizte në sensin e kundërt, tentoi të parakalonte një tjetër automjet me shpejtësi dhe hyri në korsinë ku po udhëtonin tre të rejat.
Përplasja kokë më kokë ishte e pashmangshme dhe aq e fuqishme, sa i ka kthyer makinat në hekurishte të deformuara dhe duke e përmbysur një prej tyre në mes të rrugës. Foto më poshtë:

Dy motrat Dhimaku ndërruan jetë në vend si pasojë e plagëve të marra, ndërsa shoqja e tyre, Antonela, u transportua me urgjencë drejt spitalit me plagë të shumta, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Në komunikatën zyrtare të Policisë së Sarandës thuhet: “Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip ‘Audi’, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip ‘Lancia’, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”.

Një nga viktimat, 20-vjeçarja Rozina, ishte studente e Mjekësisë dhe kishte nisur të ndërtonte ëndrrën e saj për t’u bërë mjeke, ndërsa motra e saj Elvisa, 22 vjeçe, sapo kishte nisur të punonte dhe të ndërtonte jetën e saj në Delvinë.
Lajmi i tragjedisë ka tronditur qytetin e vogël jugor, ndërsa 23-vjeçari Kevi Norra ndodhet tashmë në pranga dhe pritet të dalë para gjykatës, ku do të përballet me një sërë akuzash të rënda që shkojnë nga drejtimi i mjetit në gjendje të dehur dhe parakalimi i gabuar, deri tek përgjegjësia për vdekjen e dy motrave dhe plagosjen e shoqes së tyre.