Është zbardhur vendimi i gjykatësit Erion Çela që e la Ilir Metën pas hekurave në datën 13 gusht duke rrëzuar kërkesën e ish-presidentit për lirim me argumentimin se pozita e tij është rënduar pas marrjes të pandehur më 27 maj dhe se si kryetar i Partisë së Lirisë ai ka të gjitha mundësitë të prishë prova apo të intimidojë dëshmitarë.
Në vendimin e arsyetuar, gjyqtari Çela thekson se “gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk ka qenë në asnjë moment para situatave kur gjykata mund të disponojë me zëvendësimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg’: Akuzat mbeten të rënda me dënime të forta, ekziston ende rreziku për të ndikuar në marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe pozita e Metës mbetet ende e fortë që të mund të influencojë në persona që kanë dijeni për faktet apo që mund të thirren në gjyq si dëshmitarë.”
Gjyqtari nënvizon se procedura ndaj tij është rënduar më tej nga provat e mbledhura gjatë hetimeve: “Pozita procedurale e kërkuesit është më e rënduar, pasi në sajë të provave që janë mbledhur gjatë hetimeve ai tashmë ka marrë cilësinë e të pandehurit. Vlerësohet se rreziku për marrjen e provës vijon që të jetë ekzistent kjo pasi gjatë gjykimit do të kërkohet që të pyeten si dëshmitarë një sërë personash që bëjnë pjesë në subjektin politik ku i pandehuri është president. Pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar për shkak të funksioneve që ai ka aktualisht, ka pasur apo pozitës së tij në shoqëri krijon mundësi praktike të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët potencialë.”
Përjashtim, sipas GJKKO-së, do të kishte vetëm në rastin e një gjykimi të shkurtuar, por “në këtë rast ende nuk rezulton”. Në analizën e gjykatës, fakti që SPAK synon të thërrasë në gjyq një numër të madh anëtarësh të Partisë së Lirisë si dëshmitarë e bën të domosdoshme mbajtjen në burg të ish-presidentit. “Gjykatat kanë vlerësuar se në rastin konkret evidentohet prania e rrethanave nga të cilat krijohet vlerësimi se ka rrezik eminent që liria e pakushtëzuar me masë sigurimi e kërkuesit (të pandehurit) Ilir Metaj mundet të helmojë provat apo mundet të riskojë gjetjen dhe fiksimin e gjendjes natyrore të tyre”, shkruan më tej gjyqtari Çela.
Kujtojmë se në fillim të gushtit SPAK i komunikoi Ilir Metës dhe të pandehurve të tjerë mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e dosjes për gjykim. Meta, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.