Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij pas daljes nga ambientet e SPAK ka folur në lidhje me institucionet e drejtësisë. Berisha shprehet se KLGJ dhe kreu i SPAK, Altin Dumani mbrojnë Irena Gjokën të cilën e cilëson si Irena me tre mbiemra.
Ai thekson se Gjoka akuzohet për tre vepra penale. Berisha shton se KLGJ në vend se të marrë vendimin menjëherë për ta dënuar, nuk merr asnjë vendim. Sipas tij Gjoka nuk është gjykatëse dhe se asnjë vendim i saj nuk ka vlerë. Kryedemokrati shtoi se e gjithë kjo mbrojtje ndaj Gjokës vjen pasi ata janë bashkëpunëtorë në krim.
“Ndërkohë KLGJ e Llagamit mbron Irena Gjokën me tre vepra penale, e cila e ka vendin, ku është një shkelëse ordinere ligji, e cila është e dënueshme për mashtrimin që ka bërë në formularin e deklarimit të pasurive, ka mashtruar në veting për pasuritë e saj. A mund të imagjinoni ju si e justifikuar Irena me 5 mbiemra pasurinë?
Në përputhje me nenin 830 të kodit civil, mora këtë hua nga ish-bashkëshortja e burrit tim. Mirëpo neni 830 është nen i vitit 2015. Huaja është marrë në vitin 1996. Pra, para këtij mashtrimi trashanik, KLGJ në vend se të marrë vendimin menjëherë, nuk merr asnjë vendim, dhe e dënuar me burg, de facto ajo nuk është gjykatëse. De facto ajo është gjykatëse ekstraligjore. De facto dhe de jure asnjë vendim i saj nuk ka vlerë.
Ajo vazhdon dhe ka hapur çështje penale. Ky Troplini që u dekorua sot nga Elvis Doçi ka hapur çështje penale pa emër për ta mbrojtur atë. Po çfarë mungon aty kur dokumentet qartësojnë se ajo i është referuar nenit 830 të kodit civil të vitit 2015 për një kontratë të vitit 1996? Për të gjithë botën, përveç Altin Troplinit, ky është mashtrim.
Çfarë ka kur gjykata e Janinës, me vule apostile pohon se është e dënuar më 3 muaj burg, me emër dhe mbiemër Irena me 3 mbiemra dhe Altin Troplini thotë më duhen dokumente. Vula apostile për çdo njeri, përveçse për Altin Troplinin, është një dokument ligjor, zyrtar. Por do ta mbrojë me çdo kusht afërmendshi. Do ta mbrojë se janë bashkëpunëtorë në krim. Ky është një akt i turpshëm, kjo është fytyra e vërtetë e këtij sistemi,” tha ai.