Përfundon me fitore parasezoni i Juventus, tashmë gati për kampionatin. Mbrëmjen e djeshme, më 16 gusht, bardhezinjtë mundën 2-1 Atalantën, duke fituar kështu Trofeun Bortolotti. Shumë sinjale pozitive për trajnerin bardhezi, Igor Tudor, i cili javën e ardhshme është gati për debutimin në kampionat: takimi është caktuar për të dielën, 24 gusht, në orën 20:45, kur në Allianz Stadium do të mbërrijë Parma.
Megjithëse në një gjendje ende jo perfekte, për shkak të ngarkesave nga stërvitjet, Juventus që u shfaq në Bergamo ishte bindës. Shenja e parë pozitive, që konfirmon trendin e këtij parasezoni, është rikthimi i Gleison Bremer (mungoi në miqësoren brenda familjes me Next Gen, por në fushë 80 minuta në Bergamo). Qendërmbrojtësi bardhezi solli lexime mbrojtëse me nivel të lartë, duke kufizuar shumë lëvizjet e Gianluca Scamacca. Një prani e rëndësishme për lojën e Tudor, i cili u kërkon lojtarëve të tij presion të lartë, me Bremer që tregoi se është një nga më të mirët në këtë aspekt.
Pozicion i ri për Koop
Ndër risitë është edhe pozicioni i Teun Koopmeiners. Pas një viti të kaluar duke luajtur si trekuartist, por me rezultate mjaft zhgënjyese, trajneri bardhezi vendosi t’ia ulë rrezen e veprimit holandezit, duke e vënë në fakt në qendër të lojës. Më shumë prekje topi, më shumë cilësi dhe shumë ide për “Koop”, i fishkëllyer pa pushim nga publiku i Bergamos që nuk e ka tretur ende largimin e tij. Në këtë mënyrë, holandezi duhet të mbulojë më pak fushë dhe është më i lirë të luajë topin, një mënyrë e studiuar nga Tudor për t’i kthyer besimin dhe për ta vendosur në qendër të projektit bardhezi, duke kërkuar të shpërblejë investimin e sezonit të kaluar. Dhe pastaj është Jonathan David, i cili zhbllokoi ndeshjen me një gol me roveshatë, duke marrë kënaqësinë e golit të parë me fanellën bardhezi.
Tudor: “Vlahovic më pëlqeu, për merkaton nuk flas”
Mes protagonistëve është Dusan Vlahovic, bomberi i heshtur që dërgon mesazhe përmes rrjeteve sociale. Në këtë fillim sezoni, numri 9 bardhezi duket se po përballet me gjithçka me bindje të madhe, sikur çdo gjë t’i rrëshqiste (fishkëllimat në miqësoren e brendshme pas një goli të humbur janë shembulli). Pas golave kundër Reggiana dhe Next Gen, vjen edhe një tjetër shenjë, me qetësi të madhe para portës. Si zakonisht një festim i qetë, gati polemik, sikur të donte të thoshte: “Mister, jam edhe unë këtu!”.
Dhe Tudor e di, aq sa i bën komplimente numrit të tij 9: “Dusan hyri dhe më pëlqeu: është një lojtar i Juventus, dha një dorë kur hyri”. Dhe megjithëse tifozët e kanë “shkarkuar” disi duke ëndërruar rikthimin e Kolo Muani, Vlahovic po bën gjithçka për t’u treguar dhe po dëshmon edhe një herë dëshirën e tij për t’i shfrytëzuar shanset në fanellën bardhezi.
Por më pas është merkatoja, me dg Comolli që kërkon një blerës sepse dëshiron të shmangë humbjen e tij me parametër zero në fund të vitit. Paraqitjet dhe golat në miqësoret e fundit mund të rilançojnë përfundimisht talentin serb, që kurrë nuk ka shpërthyer vërtet në Torino. Vetëm koha do të na tregojë nëse DV9 do të jetë ende një sulmues i Juventus apo do të kërkojë fatin diku tjetër: në dy javët e fundit të merkatos gjithçka mund të ndryshojë, ose ndoshta asgjë.
Doubling the lead in Bergamo pic.twitter.com/y8qTfc4nRk
— JuventusFC (@juventusfcen) August 16, 2025