Vladimir Putin foli i pari në konferencën për shtyp me Donald Trump pas takimit në Alaska, një shkelje e protokollit thanë ekspertët pasi në rast të vizitave në SHBA është presidenti ai që flet i pari.
Gjithsesi.
Putin tha se ka arritur një marrëveshje me Trump dhe shpreson që udhëheqësit në Kiev “nuk do të ndërhyjnë” në procesin e përfundimit të luftës. Ai nuk dha detaje se çfarë është marrëveshja.
Putin tha se bisedimet ishin “konstruktive” dhe se pajtohet që siguria e Ukrainës duhet të garantohet.
“Pajtohem me Trump që siguria e Ukrainës duhet të sigurohet dhe sigurisht, ne jemi të gatshëm të punojmë për këtë”, tha ai duke shtuar: “Do të doja të shpresoja që marrëveshja që kemi arritur së bashku do të na ndihmojë ta afrojmë këtë qëllim dhe do të hapë rrugën drejt paqes në Ukrainë.”
Ai gjithashtu përsëriti kërkesën e tij të shpeshtë që shkaqet rrënjësore të konfliktit duhet të adresohen. Në të kaluarën, Putini ka sugjeruar që këto shkaqe përfshijnë qeverinë e zgjedhur të Ukrainës, të cilën ai e ka pohuar se udhëhiqet nga nazistët.
Në të njëjtën linjë shkoi edhe Trump duke deklaruar se ai dhe Putin patën një takim produktiv dhe se ata bënë “njëfarë përparimi”.
Ai thotë se do të telefonojë aleatët e NATO-s dhe të tjerët, përfshirë Zelensky-n e Ukrainës. Ai tha se një marrëveshje varet “në fund të fundit” prej tyre dhe ata do të duhet të bien dakord.
“Unë besoj se patëm një takim shumë produktiv. Pati shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord… Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje. Do të telefonoj NATO-n… Sigurisht që do të telefonoj Presidentin Zelenskyy dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm… Ne me të vërtetë kemi bërë një përparim të madh” – tha Trump.
LEXO EDHE: Pushtet, respekt…/ Ekspertët e gjuhës së trupit analizojnë takimin Trump-Putin
Ai shtoi: “Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie fantastike me Presidentin Putin – me Vladimirin… Ne u ndikuam nga mashtrimi ‘Rusia Rusia Rusia’.”
Trump e falënderoi ngrohtësisht Putinin, i cili e ftoi në Moskë. Dhjetëra gazetarë bërtitën pyetjet e tyre, por më kot. Presidenti amerikan, i cili zakonisht nuk mund t’i rezistojë kurrë të flasë e të flasë, u largua nga skena pa iu përgjigjur asnjërës prej tyre.
Takimi mes Trump dhe Putin zgjati rreth 3 orë. Negociatat u zhvilluan me dyer të mbyllura.
Nga pala ruse, përveç Presidentit Putin ishte edhe Sergei Lavrov, ministri i punëve të jashtme i Rusisë. 75-vjeçari e ka mbajtur këtë post për më shumë se 20 vjet dhe u sanksionua personalisht së bashku me Putinin nga Perëndimi pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Në tryezë ishte edhe Yuri Ushakov, ndihmësi i politikës së jashtme i Putinit për më shumë se 10 vjet, i cili më parë ka shërbyer si ambasador në SHBA.
Nga ana amerikane, Trump shoqërohej nga Marco Rubio, sekretar shteti. I konsideruar si një skifter i politikës së jashtme, Rubio është një nga anëtarët më të profilit të lartë të kabinetit të Trump.
I pranishëm ishte edhe Steve Witkoff, i dërguari special i Trump dhe miku i tij personal. Fillimisht i emëruar si i dërguar i Lindjes së Mesme, ai ka qenë shpesh pjesë e diskutimeve për përfundimin e një konflikti në Evropën Lindore.
Nuk është hera e parë që këta katër burra takohen në tryezën e negociatave. Të gjithë morën pjesë në bisedimet e paqes për Ukrainën në Arabinë Saudite në shkurt, por pa Trumpin ose Putinin.
Në takim nuk pati një vend për Presidentin Zelensky ose për këdo që përfaqëson Ukrainën. Një tjetër mungesë e dukshme është edhe i dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg.