Tarifat e Donald Trump nuk kanë kursyer as lingotat e arit, duke krijuar konfuzion në një treg që mendonte se ishte përjashtuar nga masat e ashpra të administratës amerikane. Reagimi i menjëhershëm ishte një rritje e çmimeve të metalit të çmuar në Nju Jork, të cilat arritën një rekord të ri prej 3,543 dollarësh për ons.
Ari zakonisht përjashtohet nga detyrimet për shkak të rolit të tij në sistemin financiar global dhe Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar më herët se nuk do të prekej nga tarifat. Ky vendim i papritur goditi rëndë Zvicrën, eksportuesen më të madhe të arit, ku tarifat e reja shtohen mbi një taksë ekzistuese prej 39% për produktet zvicerane. Bernë po shqyrton të gjitha opsionet për të zgjidhur bllokimin me Uashingtonin, madje edhe ndërhyrjen e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, që ka marrëdhënie të afërt me Trump.
Ekspertët paralajmërojnë se ky hap mund të prishë rrjedhën globale të arit, duke e bërë më të shtrenjtë procesin e zgjidhjes së kontratave në bursën amerikane Comex. Përdorimi i Londrës për këto transaksione po shihet si alternativë, gjë që do të kërcënonte statusin e Nju Jorkut si tregu më i madh i kontratave të arit në botë, shkruan Ansa.
Mesatarisht, tarifat amerikane kanë arritur në 20.1%, nivel rekord që nga vitet 1910. Japonia ka kërkuar ndryshime në masat ndaj saj, ndërsa India është në përplasje me SHBA-në për tarifat 50% dhe presionin që të ndalë importin e naftës ruse. Marrëdhëniet mes Trump dhe kryeministrit Narendra Modi janë përkeqësuar pas një takimi të tensionuar në qershor, duke larguar mundësinë e një marrëveshjeje së afërme.