Një vatër zjarri vijon të përfshijë zonat malore në bashkinë Finiq prej ditësh duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në malin mbi fshatin Dhivër. Bëhet me dije se flakët janë përhapur edhe në zonën malore pranë fshatit Navaricë, duke shtuar rrezikun.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse nga disa bashki përfshirë Finiqin, Sarandën, Delvinën, Konispolin, Gjirokastrën dhe Himarën, ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Operacioni mbështetet edhe nga forcat operacionale dhe ndërhyrja ajrore, por terreni i vështirë malor dhe përhapja e shpejtë e flakëve kanë vështirësuar përpjekjet.
Sipas autoriteteve lokale, përparësi po i jepet parandalimit të përhapjes së zjarrit në drejtim të fshatit Leshnicë, ku banesat e banorëve mund të rrezikohen nëse situata përkeqësohet.