Më shumë se 60 emigrantë humbën jetën kur një anije që transportonte rreth 150 persona u mbyt në brigjet e Jemenit për shkak të motit të keq të dielën. Mediat e huaja shkruajnë se anija u përmbys pranë provincës jugore Abyan të Jemenit dhe se janë gjetur 68 trupa.
Shefi i Jemenit për Organizatën Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) Abdusattor Esoev tha se 12 persona ishin shpëtuar dhe dhjetëra të tjerë ende rezultojnë të zhdukur. Gjithashtu ai tha se anija mbante rreth 157 emigrantë në një rrugë të rrezikshme në zonën e gjerë bregdetare që përdoret shpesh nga kontrabandistët e njerëzve.
Drejtoria e sigurisë në Abyan lëshoi një deklaratë mbi misionin e madh të kërkim-shpëtimit që është në zhvillim e sipër dhe tha se shumë trupa të pajetë ishin gjetur në një zonë të gjerë të bregdetit.
Shumica e viktimave besohet të jenë shtetas etiopianë. Jemeni mbetet një rrugë kryesore për emigrantët nga Briri i Afrikës që udhëtojnë drejt shteteve arabe të Gjirit në kërkim të punës, me IOM-in që vlerëson se qindra kanë vdekur ose janë zhdukur në mbytjet e anijeve në muajt e fundit.