Ergys Agasi në SPAK, jo për lidhjet me bandat por për kontrabandën e cigareve

Një muaj pas një operacioni të papritur të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të mbështetur nga Forca Operacionale, që bastisi banesën dhe zyrat e tij, biznesmeni kontravers Ergys Agasi është paraqitur sot në ambientet e SPAK.

Më herët, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Agasit i është sekuestruar edhe celulari personal, por ajo çka ndodh përtej dyerve të institucionit të drejtësisë mbetet ende e mbuluar me mjegull. Nuk dihet zyrtarisht se për cilin procedim penal po merret në pyetje dhe në cilën dosje figuron emri i tij.

Agasi, një emër që prej vitesh ka lëvizur në periferinë e politikës, biznesit dhe botës së errët të krimit, është akuzuar publikisht nga opozita për lidhje me grupe mafioze dhe njerëz të pushtetit.

Në një deklaratë për CNA pak ditë pas kontrollit të BKH-së, ai vetë u përpoq të transmetonte qetësi:

“Nuk kam asgjë për të fshehur. Është në kuadër të një procedimi penal tjetër të SPAK për kontrabandën e cigareve,” u shpreh Agasi për mediat, duke pranuar hapur ekzistencën e hetimit dhe duke lëshuar një detaj që SPAK vetë nuk e kishte bërë publik.


Ergys Agasi është një personazh kontrovers që është përfolur për lidhjet e tij të drejtpërdrejta me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në korridoret e administratës njihet për ndikimin e tij të fortë në disa dikastere.

Një shpjegim për këtë marrëdhënie të privilegjuar me kryeministrin Rama dhe përfitimet që pasojnë e ka dhënë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që e quan Ergys Agasin një ndërmjetës mes bandave kriminale dhe kryeministrit Edi Rama.

“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë, pastrojnë paratë e tyre ndërtim në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin.

Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve” – tha Ahmetaj gjatë një prononcimi për emisionin Report në Rai 3.

Rai 3 raportoi se Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i ish-deputetit socialist Bardh Agasi, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.

“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” – tregoi Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top