Seanca e radhës për dosjen “Partizani” është shtyrë për në datën 15 shtator. Dhëndri i kryedemokratit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi foli sot për mediat lidhur me vendimin e GJKKO për të shtyrë gjyqin. Konkretisht Malltezi tha se gjyqtarët e GJKKO nuk janë të lirë dhe se kontrollohen nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, KLGJ duhet të shprehej brenda 15 ditëve lidhur me rastin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as tani pas 15 muajsh.
“Faza hetimore nga Irena Gjoka është nul. Janë akte të pavlefshme, Rama ka marrë gjithë sistemin e drejtësisë, ka bllokuar KLGJ. KLGJ sipas ligjit duhet të shprehet për 15 ditë, kanë kaluar 15 muaj dhe ende s’është shprehur, pra shkelja është bërë rutinë nga drejtësia e kapur nga Rama. Gjyqtarët e GJKO nuk janë të pavarur. Ne kemi dhjetëra dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi të rreme sepse janë shtyrë në dëshmi të rreme nga prokurorë. Ky është një shtet sazesh” tha Malltezi.