Një finale me surprizë. Kundër çdo parashikimi Enzo Maresca “paketon” Psg-në “shkatërruese” të Luis Enrique dhe, edhe falë një paraqitjeje fenomenale të Cole Palmer (dy gola dhe një asist), e çon Chelsea në majën e botës. Francezët, pas një 2025-e si dominues absolutë, humbasin me meritë 3-0 kundër Blues, të cilët, pas fitores në Conference League, shtojnë një tjetër trofe ndërkombëtar në vitrinë. Plani taktik i teknikut Maresca pati sukses në një aspekt ku shumë kolegë kishin dështuar: shmangia e presingut të parisienëve për t’i goditur më pas në kundërsulm. Më pas, pasi e mbyllën pjesën e parë me tre gola avantazh, Chelsea ishte shumë i zoti të mos i lejonte asgjë Psg-së.
Super surprizë në New York. Para syve të Donald Trump, në tribunë me gruan Melani, Chelsea i teknikut Enzo Maresca “asfalton” Psg-në kampion të Europës dhe ngjitet në majën e botës. Çdo gjë vendoset në një pjesë të parë shkatërruese për Blues, të cilët mbrohen mirë dhe kundërsulmojnë në mënyrë perfekte. Vendimtar Cole Palmer, i cili pasi i shkoi pranë golit 1-0 që në fillim të ndeshjes, e zhbllokoi në minutën e 22’ me një “përkëdhelje” në shtyllën e parë dhe më pas në të 30’ e dyfishon me një goditje fotokopje, gjithmonë në këndin e largët ku Donnarumma nuk mund të mbërrijë. Talenti i Blues në minutën e 43’ “thur” asistin për Joao Pedro, i cili me një prekje nga poshtë firmos 3-0 para pushimit.
Në pjesën e dytë Psg provoi ta rihapë ndeshjen, por Sanchez i thotë jo tentativave të Dembelè dhe Vitinha, dhe gradualisht ndeshja shuhet. Për t’u “ringjallur” në fund me një përleshje të madhe, ku humbet toruan edhe Luis Enrique. Momente tensioni që nuk u administruan dot nga lojtarët e të dy ekipeve. Nervat lëshuan edhe teknikun spanjoll të PSG-së, që me nervozitet provoi të largonte Joao Pedro duke përdorur duart. E menjëhershme ndërhyrja e portierit Donnarumma, në mbështetje të Luis Enrique, por lëvizja e italianit solli kontaktin me lojtarin e Chelsea që përfundoi përtokë. Të gjithë u kapën me të gjithë, ndërsa Maresca u mundua të largonte të tijtë, që situate të mos degjeneronte. Fund i shëmtuar i një finale të madhe.