Justin Bieber publikoi së fundmi projektin e tij të ri muzikor me titullin “SWAG”, nën shtëpinë diskografike Def Jam, duke shënuar kështu rikthimin e tij në skenën muzikore pas tre vitesh nga albumi i fundit, Justice.
Albumi përmban 21 këngë, ku nuk mungojnë bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës si Gunna, Sexxy Red, Cash Cobain, Lil B, Eddie Benjamin dhe të tjerë. Disa nga titujt që bien në sy janë: “ALL I CAN TAKE”, “STANDING ON BUSINESS”, “FORGIVENESS”, “THERAPY SESSION” dhe “DAISIES”. Projekti tashmë është i disponueshëm për dëgjim në platformat Spotify dhe Apple Music.
Burime për revistën PEOPLE zbuluan se albumi sjell një atmosferë më të thellë dhe më të papërpunuar krahasuar me projektet e mëparshme të këngëtarit, megjithatë nuk është aspak “depresiv”, por emocional dhe i sinqertë.
Burimet treguan gjithashty se djali 10-muajsh i Justin-it, Jack Blues, të cilin ai e ka me bashkëshorten Hailey Baldwin Bieber, ka qenë një ndikim i madh në ndjeshmërinë dhe zemrën e albumit SWAG.
Pak para publikimit të albumit, një billboard gjigand në Islandë me fytyrën e Bieber dhe mbishkrimin “SWAG” u bë viral në rrjete sociale. Po të njëjtën ditë, një billboard i ngjashëm u shfaq edhe në Los Angeles.
Ndërkohë, Bieber postoi në Instagram një video nga New York City ku shfaqej një ekran i madh me tituj të këngëve të reja, duke konfirmuar kështu zyrtarisht albumin e ri.
Në muajin maj, një tjetër burim konfirmoi për PEOPLE se Justin Bieber ishte izoluar për disa javë në Eleven Deplar Farm në Ólafsfjörður të Islandës, një resort luksoz me studio muzikore të dedikuar për artistët, për të punuar në projektin e ri.