Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli ka reaguar pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj saj lidhur me mosnisjen e hetimeve për ndërtimet pa leje në Theth.
Prokurorja përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të reagojë lidhur me situatën e krijuar. Konkretisht Gjeli kërkon që KLP të analizojë sjelljen e kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve. Ajo shprehet se është e gatshme të hetohet para të gjithë organeve të drejtësisë.
Gjithashtu kërkon nga KLP të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që sulmohen për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.
“Në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura. Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli në letrën drejtuar KLP.
Ndërtimet në fshatin Theth ishin arsyeja e përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. Rama është shprehur se janë ndërtuar pa leje dhe IKMT do t’i heqë nga territori. Lidhur me këtë çështje, Rama ka sulmuar prokuroren Elsa Gjeli. Sipas tij, kjo e fundit ka refuzuar të hapë çështjen dhe ka injoruar denoncimin e Policisë së Shtetit lidhur me këtë ndërtim. Në postimin e tij në Facebook për rastin, kreu i qeverisë shprehej se është lejuar një ndërtim në zemër të Thethit në shkelje totale të ligjit, por sipas tij, Prokurorja Gjeli ka dalë me vendim se nuk ka vepër penale. Rama theksoi se këtë çështje do ta përcjellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që shtoi se kjo prokurore është e padenjë për t’u paguar si e tillë.
Ndërtimet në fjalë janë disa kabina pushimi, të cilat janë në pronësi të shtetasit të identifikuar si Prekë Kodra. Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për shkak së është një përson i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen “Metamorfoza”. Ai akuzohet nga SPAK për një disa ngjarje kriminale. Gjithashtu bëhet me dije se Kodra është personi që katër vite më parë kishte planifikuar të vriste me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe dy politikanë të tjerë të njohur të Kosovës. Në fshatin turistik në veri të vendit, Prekë Kodra kishte ngritur “Vilat e Shqiponjave në Theth”, 10 kabina të ndërtuara në një zonë që është e mbrojtur nga shteti.