Një restorant është përfshirë nga flakët në Theth. Ngjarja është shënuar rreth orës dy të mëngjesit dhe kanë qenë banorët e zonës që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Raportohet se nuk ka persona të lënduar, ndërsa evakuimi i turistëve është bërë i mundur në kohë.
Ngjarja vjen teksa në fshatin turistik, IKMT ka nisur një aksion për prishjen e objekteve pa leje, gjë që ka shkaktuar protesta.
Aida Gjeçaj, pronarja e restorantit që u dogj gjatë natës në Theth, thotë se ekspertët kanë përjashtuar shkakun e një shkëndije elektrike. Ajo shprehet se dëmi i shkaktuar është rreth 150 mijë euro pasi vjet kishte përfunduar ndërtimi i restorantit. Gjeçaj hedh dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa tregon se nuk ka pasur konflikte apo kërcënime nga njeri.