Sot, bëhet përpjekja e 44‑të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por sipas zhvillimeve të deritanishme, nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor në raport me seancat e mëparshme. Asnjë nga seancat e mëparshme nuk ka përfunduar me sukses për shkak të pamundësisë për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në seancën e fundit, e cila u mbajt me vonesë pas një alarmi të rremë për bombë, dështoi sërish miratimi i komisionit për votim të fshehtë. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, duke insistuar që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Këtë kërkesë po e kundërshtojnë partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Nisma, të cilat refuzojnë të propozojnë anëtarët për komisionin dhe e akuzojnë Vetëvendosjen për mungesë bashkëpunimi. Ngërçi politik ka nxitur shqetësime si në skenën vendore, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar përgjegjësi nga deputetët dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse Kuvendi nuk formohet së shpejti. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga aktgjykimi i 26 qershorit, pa specifikuar pasojat e mosrespektimit të këtij afati.
Kjo situatë po shkakton vakum institucional, duke ndikuar jo vetëm në punën e Kuvendit, por edhe në funksionimin e përgjithshëm të institucioneve të vendit.