Nga Camping World Stadium i Orlandos vjen verdikti i parë i çerekfinaleve: Fluminense është në gjysmëfinale të Botërorit për Klube. Brazilianët, pasi eliminuan Interin në 1/8 e finales, nxjerrin jashtë edhe Al Hilal, të drejtuar nga Simone Inzaghi. Fitoren e “Tricolor” e firmosën golat e Martinelli dhe Hercules, i futur në protokollin e shënuesve edhe kundër zikaltërve. Arabët u përgjigjën me Marcos Leonardo për barazimin e përkohshëm. Djemtë e teknikut Renato tani presin fituesin e çerekfinales mes Chelsea dhe Palmeiras.
Tani nuk është më një surprizë, por një siguri e fortë: Fluminense mund 2-1 edhe Al Hilal dhe është gjysmëfinalistja e parë e Botërorit për Klube. Vendimtar sërish Hercules, mesfushori që, disa ditë më parë, kishte eliminuar Interin e teknikut Chivu. Martinelli kishte shënuar në pjesën e parë, më pas braziliani vulosi gjithçka në pjesën e dytë. Në mes erdhi barazimi i Marcos Leonardo, njeriu i “shpëtimit” për Simone Inzaghi, i cili megjithatë duhet të dorëzohet pikërisht në momentin më të bukur.
Për sauditët mbetet gjithsesi krenaria që ndalën Real Madrid, mundën City dhe arritën një rezultat shumë përtej pritshmërive fillestare. Ajo që kalon në 4 më të mirat është megjithatë skuadra e teknikut Renato Portaluppi, e udhëhequr në fushë nga i përjetshmi Thiago Silva: në gjysmëfinale mund të ketë një tjetër derbi brazilian, gjithnjë nëse Palmeiras arrin të mposhtë favoritët e Chelsea.