Liverpool sot është zgjuar me zemrën e thyer për një lajm vërtet të tmerrshëm, nga ata që është e vështirë të besohen sepse janë aq të papritur, brutalë, të papranueshëm. Diogo Jota, ylli i Reds dhe i kombëtares portugeze, ka vdekur gjatë natës në moshën 28-vjeçare në një aksident rrugor ku ka humbur jetën edhe vëllai i tij më i vogël André Silva, futbollist si ai.
Një gomë që shpërthen, Lamborghini që del nga rruga dhe përfundon jashtë saj, zjarri që përpin makinën dhe trupat pa jetë të dy djemve: imazhet e atij pak që ka mbetur nga makina janë tronditëse, ka qenë një fund i tmerrshëm. Ndërsa i gjithë bota qan vdekjen e dy futbollistëve, tifozët e Liverpool-it po përmbytin rrjetet sociale me një kërkesë drejtuar klubit nga Merseyside: të tërhiqet fanella me numrin 20 e Diogo Jotës.
Tifozët po bëjnë homazhe në kujtim të Diogo Jota në Anfield
Sulmuesi portugez vishte ngjyrat e Reds tashmë prej pesë vitesh, pasi ishte blerë në 2020 nga Wolverhampton. Megjithëse me një konkurrencë shumë të fortë në repartin ofensiv, Diogo Jota kishte luajtur dhe kishte shënuar shumë: 65 gola dhe 26 asistime ishte bilanci i tij në 182 paraqitje gjithsej, 9 gola në 37 paraqitje në sezonin e fundit, atë të kampionatit të fituar nga skuadra e mrekullueshme e Slot-it. Në pesëvjeçarin e kaluar në Anfield, përfaqësuesi luzitan kishte vendosur në vitrinë edhe një Kupë të Anglisë, dy Kupa të Ligës, një Community Shield.
Tifozët: Liverpool të tërheqë numrin 20
I dashur shumë nga tifozët e Liverpool, këta tani i kërkojnë klubit të bëjë diçka pa precedent në historinë e Reds: të tërheqë numrin e fanellës së Diogo Jota, gjë që nuk është bërë kurrë më parë për asnjë futbollist. Fanella e vetme e tërhequr deri tani nga Liverpool ka qenë ajo me numrin 96, një gjest simbolik i bërë në kujtim të 96 viktimave të tragjedisë së Hillsborough më 15 prill 1989. Tifozët tani kërkojnë që edhe numri 20, i veshur nga futbollisti portugez që kur kishte ardhur në 2020 nga Wolves (ku kishte numrin 18, ndërsa në kombëtare kishte 21), të mos përdoret më kurrë nga asnjë futbollist i Reds në të ardhmen.
“You’ll never walk alone”
Në rrjetet sociale lumi i mesazheve është i pandërprerë, me një fjali që përsëritet, që është shpirti i Liverpool: “You’ll never walk alone”, “Nuk do të ecësh kurrë vetëm”. Fjalë që vetë Diogo Jota i kishte përdorur kur ishte transferuar në Merseyside, duke shpallur në atë rast edhe numrin që kishte zgjedhur për aventurën e tij të re, pikërisht 20.
Shokët e Diogo Jota – si në klub ashtu edhe në kombëtare, në radhë të parë Cristiano Ronaldo – po shkruajnë këto orë postime lamtumire të dhembshme për djalin. Në një histori në Instagram, ish-kapiteni i Wolves, Ruben Neves, i cili ka luajtur 164 ndeshje me Jotën mes klubit dhe Portugalisë, ka shkruar: “Thonë që njerëzit i humbasim vetëm kur i harrojmë. Unë nuk do të të harroj kurrë!” Një ndjenjë që në këto orë tragjike përshkon gjithë botën e futbollit dhe veçanërisht Liverpool: e pamundur të harrohet.