Vjedhja e një topi të firmosur nga Neymar i kushtoi një dënim penal shumë të rëndë një braziliani, i cili u godit me 17 vite burgim. Vendimi, i shpallur nga Gjykata Supreme e Brazilit, duhet gjithashtu të vendoset në kontekstin e sulmit ndaj Kongresit Kombëtar të kryer nga mijëra aktivistë të ekstremit të djathtë më 8 janar 2023. Përveçse për vjedhjen e rënduar të topit që mbahej atje, burri u shpall fajtor edhe për krimet e shkatërrimit të dhunshëm të shtetit të së drejtës demokratike, grusht shteti, dëmtim të pronës publike, komplot të armatosur për të kryer një krim dhe dëmtim të rënduar.
Sulmi ndaj Kongresit të Brazilit: u vodh topi i firmosur nga Neymar
Sulmi ndaj Kongresit Kombëtar të Brazilit ishte një sulm i kryer në janarin e dy viteve më parë nga mijëra mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro, kryesisht të ekstremit të djathtë, kundër selive të tre pushteteve të shtetit brazilian në Brasilia. Ishte një përpjekje për të destabilizuar institucionet demokratike të vendit, në përgjigje të fitores së Lula-s në zgjedhjet presidenciale të 2022-it, të cilën mbështetësit e Bolsonaro-s nuk e kishin pranuar.
Lexo më tej: Neymar shënon si Maradona: “Dora e Zotit” nuk pati rezultat të njëjtë, ja ç’ndodhi
Nelson Ribeiro Fonseca Junior ka pranuar se kishte marrë pjesë në sulm, i cili ndodhi tetë ditë pas marrjes së detyrës nga Lula. Arrestimi i tij ndodhi një muaj pas grushtit të shtetit të dështuar, kur ai u paraqit në një stacion policie në qytetin Sorocaba, rreth 860 kilometra nga Brasilia, për të kthyer topin dhe për të pranuar përgjegjësinë e tij. Ai top i firmosur nga Neymar kishte qenë një dhuratë që një delegacion i Santos ia kishte dorëzuar Dhomës së Deputetëve në vitin 2012, pas një seance solemne me rastin e 100-vjetorit të klubit paulista.
Hajduti i dënuar me 17 vite burg: versioni i tij, absurd
Anëtarët e Gjykatës Supreme hodhën poshtë argumentet e mbrojtjes sipas të cilave Ribeiro Fonseca do ta kishte ‘sekuestruar’ topin për ta mbrojtur gjatë sulmeve ndaj Kongresit dhe për këtë arsye do ta kishte kthyer një muaj më vonë. Sipas gjyqtarit hetues të çështjes, burri i dënuar jo vetëm që iu bashkua një grupi kriminal që synonte të shkatërronte institucionin me një grusht shteti, por gjithashtu ka nxitur persona të tjerë të bënin të njëjtën gjë. Nga pothuajse dy mijë mbështetës të Bolsonaro-s të arrestuar për trazirat e 8 janarit 2023, rreth 500 janë dënuar me dënime që variojnë nga 13 deri në 17 vite.