Pasi deklaroi se po tërhiqej nga arena politike, Elon Musk u rikthye menjëherë në qendër të saj.
Ndërsa Senati debatonte të hënën projektligjin “I Madh, i Bukur” të Presidentit Donald Trump (The Big Beautiful Bill), përpara votimit përfundimtar, Musk bëri një paralajmërim të ashpër përmes platformës së tij të rrjeteve sociale, X.
“Çdo anëtar i Kongresit që bëri fushatë për të ulur shpenzimet e qeverisë dhe më pas votoi menjëherë për rritjen më të madhe të borxhit në histori duhet të ulë kokën nga turpi! Dhe do ta humbasin garën në primare vitin tjetër, edhe nëse është gjëja e fundit që bëj në këtë jetë,” shkroi ai.
Disa orë më vonë ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar në X se nëse “ky projektligj i çmendur për shpenzime miratohet, Partia e Amerikës do të themelohet ditën tjetër.”
Në thelb, “The Big, Beautiful Bill” i referohet një projektligji buxhetor amerikan, një akt i madh financiar që përcakton si do të shpenzohen dhe mblidhen fondet publike në SHBA, ngjashëm me buxhetin vjetor që miraton Kuvendi i Shqipërisë.
Edhe atje, si në Shqipëri, ky lloj ligji zakonisht shoqërohet me debat politik të ashpër mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht kur bëhet fjalë për rritjen e borxhit, shpenzime të mëdha publike apo shkurtime në taksa dhe subvencione.
Elon Musk vazhdoi me kërcënimet:
“Vendi ynë ka nevojë për një alternativë ndaj unipartisë Demokrate-Republikane, në mënyrë që populli të ketë në fakt një ZË,” shkroi ai.
Në një postim të vonë natën në rrjetet sociale, Trump iu përgjigj Muskut dhe kërcënoi se do të urdhëronte Departamentin për Efiçencën Qeveritare (DOGE), të cilin Musk e themeloi për të ulur shpenzimet qeveritare, që të hetojë vetë miliarderin e teknologjisë.
“Eloni mund të ketë marrë më shumë subvencione se çdo njeri tjetër në histori, me diferencë, dhe pa këto subvencione, Eloni ndoshta do të detyrohej të mbyllte gjithçka dhe të kthehej në Afrikën e Jugut. Nuk do të kishte më lëshime raketash, satelitë apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do të kursente një PASURI. Ndoshta DOGE duhet të hedhë një vështrim të fortë dhe të qartë ndaj kësaj? SHUMË PARA PËR T’U KURSYER!!!” shkroi Trump në Truth Social.
“Po them fjalë për fjalë PRITINI TË GJITHA(subvencionet). Tani.” – iu kundërpërgjigj flakë për flakë Musk në X, duke treguar se nuk do të shantazohet edhe nëse i hiqen subvencionet qeveritare bizneseve të tij, Tesla dhe SpaceX.
Prej javësh, Musk ka kritikuar fort projektligjin e Trump-it, duke shkaktuar një përplasje të ashpër dhe publike me ish-presidentin në fillim të këtij muaji. Në një breshëri postimesh në X disa javë më parë, Musk kishte propozuar krijimin e një partie të re politike.
Ky propozim u rikthye të hënën, kur Musk tha: “Është e qartë me këtë projektligj çmendurisht shpenzues, që rrit tavanin e borxhit me një REKORD prej PESË TRILIONË DOLLARËSH, se po jetojmë në një vend me një parti të vetme, PARTIA E DERRKUCIT ME KRAVATË!! Është koha për një parti të re politike që me të vërtetë kujdeset për njerëzit.”
Vendosmëria e Musk për të mbështetur kandidatët që do të sfidojnë anëtarët e Kongresit në primare është një nga kërcënimet më të qarta politike të tij që nga largimi si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë. Musk ka shpenzuar mbi 275 milionë dollarë për të mbështetur Trump-in dhe kandidatë të tjerë republikanë në zgjedhjet e vitit 2024. Në fund të majit, ai kishte deklaruar në një intervistë se planifikonte të zvogëlonte shpenzimet politike, duke thënë se kishte “bërë mjaft.”
Sipas dokumenteve të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, komiteti i veprimit politik i Elon Musk, America PAC, ka dhënë për herë të fundit para në mars për të mbështetur dy kandidatë republikanë që garonin në zgjedhje të posaçme në Florida, Randy Fine dhe Jimmy Patronis.
Musk prej kohësh ka mbështetur kufij të mbyllur, deportimet dhe ndalimin e imigracionit të paligjshëm, në përputhje me administratën Trump.
Por projektligji i politikës së brendshme duket se ka shkaktuar një përçarje mes bosit të Tesla-s dhe Shtëpisë së Bardhë. Musk ka argumentuar se projektligji republikan do të rrisë borxhin, duke e quajtur atë “skllavëri borxhi.”
Edhe pse Musk ka deklaruar se humbja e subvencioneve dhe kredive për makinat elektrike dhe energjinë diellore në projektligj nuk është arsyeja pse ai e kundërshton atë, ai ka ankuar se projektligji “jep favore për industritë e së kaluarës, ndërsa dëmton rëndë industritë e së ardhmes.”
Në një postim në Truth Social, Trump mbrojti qëndrimin e tij kundër detyrimeve për makinat elektrike, duke shkruar: “Elon Musk e dinte, shumë përpara se të më mbështeste fuqishëm për President, që unë isha fort kundër detyrimit për makinat elektrike. (Detyrimi) Është qesharak, dhe ka qenë gjithmonë një pjesë kryesore e fushatës sime. Makinat elektrike janë në rregull, por nuk duhet të detyrohet secili të ketë një të tillë.”