Bie besimi në ekonomi në qershor nga përkeqësimi i shërbimeve

Ndonëse po i afrohemi kulmit të sezonit turistik, besimi në ekonomi besimi në ekonomi ka rënë në muajin qershor, i ndikuar kryesisht nga sektori i shërbimeve, që ka pësuar një tkurrje të thellë.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 2.2 pikë në muajin qershor. Megjithatë, niveli aktual i TNE-së qëndron 6.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e TNE-së këtë muaj u ndikua kryesisht nga dobësimi i treguesve në sektorët e shërbimeve dhe të industrisë. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë dhe ai i besimit të konsumatorit mbetën pothuajse të pandryshuar. Rritje të lehtë regjistroi treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit.

Industria pesimiste

Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 2.3 pikë përqindje në muajin qershor, i ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste për prodhimin industrial si dhe pritje në rënie për porositë nga eksportet. Niveli i TBI-së aktualisht qëndron 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rënie në qershor, ndërkohë që çmimet e produkteve që do të prodhojnë në të ardhmen priten të mbeten të njëjta.

Ndërtuesit presin rritje

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 1.6 pikë përqindje në qershor. Ky tregues qëndron 15.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja e TBN-së u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të larta për aktivitetin aktual ndërtues. Pritjet për çmimet dhe për punësimin në të ardhmen janë vlerësuar me rënie.

Shërbimet me rënie të fortë

Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) ra me 5 pikë përqindje në qershor. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron rreth 11 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Në rënien e TBSH-së kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rishikuar për poshtë, ndërkohë që janë rishikuar për lart çmimet në të ardhmen.

Tregtia pa ndryshime

Treguesi i besimit në tregti (TBT) regjistroi një vlerë pothuajse të njëjtë me atë të muajit të kaluar. Niveli i TBT-së qëndron rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlera aktuale e TBT-së u ndikua nga vlerësimet në rritje të ecurisë aktuale të biznesit dhe në rënie të pritjeve për punësimin. Pritjet për ecurinë e biznesit dhe për çmimet në të ardhmen regjistruan gjithashtu rënie.

Konsumatorët pesimistë për situatën financiare

Treguesi i besimit konsumator (TBK) regjistroi një vlerë thuajse të njëjtë me atë të një muaji më parë, duke qëndruar 2.5 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares historik. Ndikimet në drejtime të kundërta të balancave përbërëse të TBK-së u kompensuan, duke mos e ndryshuar nivelin e treguesit të agreguar. Vlerësimi për situatën ekonomike në të ardhmen dhe blerjet aktuale në shuma të mëdha u rritën këtë muaj, ndërkohë, në kahun tjetër, pritjet për situatën financiare dhe blerjet e mëdha ishin më pak optimiste. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar lehtësisht për lart./MONITOR

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top