Goditje e madhe në dalje për Romën që arrin të çlirohet nga Tammy Abraham, jashtë projektit të teknikut të ri Gasperini dhe të verdhekuqve, duke siguruar një shumë të mirë parash në prag të merkatos së verës dhe sidomos për të realizuar një plusvalencë thelbësore. Drejtori Sportiv Massara ka arritur të gjejë marrëveshjen me Besiktas për shitjen e sulmuesit anglez te turqit, ku do të ketë shok skuadre lojtarin e kombëtares kuqezi Ernest Muçi. Kostoja e operacionit është rreth 20 milionë dhe Abraham ka pranuar destinacionin përkundër “jo”-së për Zenitin.
Plusvalenca e përfituar nga Roma për Abraham
Një shumë që do të sjellë kështu 8 milionë plusvalencë për Romën duke pasur parasysh që në vitin 2021 ishte blerë për 40 milionë nga Chelsea. Tani mbeten vetëm procedurat burokratike mes klubeve për të përfunduar operacionin dhe Tammy do të jetë gati të fluturojë drejt Turqisë. Kështu shkruan eksperti i merkatos Fabrizio Romano, i cili thekson se marrëveshja është tashmë e përfunduar.
Një shumë e rëndësishme për Romën për të respektuar kufizimet e Fair Play Financiar së bashku me shitjet e mundshme të të rinjve Pagano, Romano, Cherubini dhe Terlizzi pa harruar Paredes. Abraham, pas dy sezoneve sigurisht jo të shkëlqyera – dëmtim dhe huazim te Milani – kalon kështu te turqit për një shumë shumë të lartë. Abraham erdhi në oborrin e portugezin José Mourinho te Roma për 40 milionë euro nga Chelsea. Një shumë e rëndësishme e investuar nga familja Friedkin për një lojtar që padyshim mund të thuhet se ishte një nga protagonistët e fitores së Conference League nga verdhekuqtë. Roma çlirohet gjithashtu edhe nga një pagë prej gati 8 milionë eurosh në sezon: anglezi do të fitojë 6 në Turqi.
Lexo më tej: Ernest Muçi nuk eviton dot rënien e Besiktas: Goztepe e thyen 1-3 në Kupë
Një marrëveshje, ajo e Abraham te Besiktas, që ecën paralelisht me atë të Ciro Immobile. Sulmuesi italian do të lërë Turqinë një vit pas mbërritjes për të shkuar te Bologna e teknikut Vincenzo Italiano. Pikërisht për këtë arsye, sapo të përfundojë shitja e sulmuesit kampan te emilianët, Besiktas u hodh menjëherë mbi Abraham si zëvendësuesin e tij. Anglezi me fanellën e Romës në 120 ndeshje ka shënuar 37 gola dhe ka dhënë 13 asistime. Pastaj erdhi dëmtimi i rëndë dhe gati një vit ndalesë deri te huazimi te Milan.
Sezoni i Abraham te Milan
Me fanellën kuqezi Abraham erdhi në huazim të thatë me Saelemaekers që bëri rrugën e kundërt duke forcuar skuadrën verdhekuqe. Në eksperiencën e tij te Milan anglezi u tregua i zoti duke shënuar 10 gola dhe 7 asistime në 45 paraqitje zyrtare mes kampionatit, Superkupës italiane, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Italisë. Por mbi të gjitha ishte pikërisht ai protagonisti i vërtetë më 6 janarin e kaluar kur në Riad shënoi golin vendimtar kundër Interit që i dhuroi kuqezinjve Superkupën italiane 2024.