Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 7 korrik seancën në ngarkim të Jamarbër Malltezit për dosjen “Partizani”. Ky i fundit ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërkohë seanca e 7 korrikut është caktuar të mbahet në orën 11:00.
Malltezi foli jashtë gjykatës për mediat ku e cilësoi gjithë procesin si një “gjueti shtrigash”. Ai u shpreh se do të përballen me çështjen, ndonëse sipas tij është çështje pa fakt penal, ku shton se nisi me kallëzim të rremë nga Taulant Balla.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën. Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.