Bllokimi i merkatos së Lazios ka ndryshuar të gjitha planet për sezonin e ardhshëm, duke shkaktuar krizën më të madhe të gjithë menaxhimit të numrit 1 të klubit Claudio Lotito. Shoqëria ndodhet në një situatë ekonomike të tmerrshme dhe bllokimi i vendosur nga Covisoc e ka zënë në befasi edhe teknikun Maurizio Sarri, i rikthyer në pankinë saktësisht një muaj më parë në vend të Baronit. Trajneri nuk ishte në dijeni të asgjëje dhe vetëm në ditët e fundit kishte zbuluar gjithçka që po ndodhte te bardhekaltërit dhe kufizimet që do të kishin për merkaton e verës.
Në këtë pikë dorëheqja është një skenar i mundshëm që do ta bënte edhe më kritik kuadrin e përgjithshëm, sidomos sepse skuadra do ta kishte të vështirë të gjente një tjetër emër të vlefshëm për pankinën. Largimi i trajnerit toskan mbetet një mundësi reale sepse bllokimi i merkatos në hyrje i ndryshon të gjitha planet dhe do të detyronte të rishikoheshin projektet dhe premtimet për të ardhmen.
Sarri mund të japë dorëheqjen nga Lazio
Situata është në krizë të plotë dhe në këto raste është e pamundur të përjashtohen edhe skenarët më absurdë. Dorëheqja e Mauricios si trajner i Lazios është më shumë se një zë, sepse sipas dikujt trajneri nuk do të ishte vënë në dijeni të gjithçkaje në momentin e firmës. Ai do të ishte gjendur kështu përballë një skuadre të paaftë të lëvizte në merkato pa e ditur as paraprakisht, një mundësi që qartësisht do të çonte në një largim të parakohshëm.
Ende nuk ka asnjë konfirmim, por ka shumë pikëpyetje që duhet të zgjidhen. Covisoc i komunikoi Lazios bllokimin e merkatos më 26 maj, një javë para firmës së Sarrit mbi kontratë: me gjasë trajneri e dinte që po bëhej pjesë e një klubi me probleme me indeksin e likuiditetit (një situatë që është përsëritur disa herë vitet e fundit), por me shumë mundësi nuk ishte në dijeni të bllokimit të plotë të blerjeve, siç ka rindërtuar Il Messaggero.
Përplasjet e kaluara me Lotiton
Edhe në të kaluarën ish-trajneri i Napolit dhe Juves kishte pasur tensione me presidentin Lotito, aq sa e la skuadrën në mars 2024 duke paraqitur dorëheqjen. Marrëdhënia me presidentin nuk ka qenë kurrë idilike dhe në atë rast trajneri ishte ankuar për mungesën e mbështetjes nga klubi. Nuk është një precedent i mirë, i rënduar më pas nga fakti që zbuloi krejt papritur të gjitha problemet ku ndodhet Lazio vetëm pasi firmosi kontratën për t’u rikthyer.
Nga ana tjetër Sarri nuk është një njeri i masave të ndërmjetme dhe për këtë arsye zërat për largimin e tij nuk do të ishin krejt të pabaza. Për momentin megjithatë trajneri vazhdon të përgatisë terrenin për sezonin e ardhshëm, i shqetësuar për atë që po ndodh në shtëpinë bardhekaltër, dhe në fillim të javës që vjen mund të takohet me Lotiton për të bërë qartësi mbi të ardhmen e tij para 14 korrikut, ditës kur do të nisë zyrtarisht përgatitja verore e Lazios.