Shqipëria sot: Një vend i çarmatosur në një rajon të armatosur
“Një komb që braktis të drejtën për t’u mbrojtur, heq dorë në heshtje nga e drejta për të ekzistuar.”
Flamur Buçpapaj
Për më shumë se tri dekada, Shqipëria ka qëndruar me një strukturë ushtarake minimale, thuajse formale, e shkëputur nga nevojat reale të mbrojtjes kombëtare dhe rajonale. Pas vitit tragjik 1997, kur shteti shqiptar u gjunjëzua përkohësisht dhe depot e armëve u plaçkitën në mënyrë masive, vendi ra në një fazë të çarmatimit të heshtur, të udhëhequr më tepër nga presionet ndërkombëtare sesa nga një analizë realiste e rreziqeve që e rrethojnë.
Ky çarmatim nuk ishte vetëm fizik, por edhe konceptual: Shqipëria braktisi idenë e fuqisë ushtarake si element të sovranitetit dhe u orientua drejt një doktrine të imponuar pacifiste, me iluzionin se NATO do të ishte garancia e vetme dhe e mjaftueshme për sigurinë e saj. Ushtria shqiptare u reformua pjesërisht, por roli i saj u reduktua në përfaqësim simbolik në misione ndërkombëtare paqeruajtëse, trajnime dhe ushtrime me karakter protokollar.
Ndërkohë, fqinjët e Shqipërisë, Serbia dhe Greqia, kanë ndjekur një qasje diametralisht të kundërt. Të dy këta shtete, të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të fuqisë ushtarake në Ballkan, kanë ndërtuar dhe fuqizuar për vite të tëra kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe sulmuese.
Serbia, duke përfituar nga mbështetja e vazhdueshme e Rusisë, është shndërruar në një nga vendet më të armatosura të rajonit. Ajo ka blerë dronë luftarakë nga Kina, sisteme mbrojtëse raketore nga Rusia dhe avionë luftarakë nga Franca. Kjo rritje e fuqisë ushtarake është shoqëruar me një retorikë nacionaliste dhe revizioniste që nuk e fsheh kurrë nostalgjinë për influencën e humbur mbi Kosovën dhe ambicien për të rifituar rolin dominues në Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën kohë, Greqia, si një shtet anëtar i konsoliduar i NATO-s dhe BE-së, ka investuar në mënyrë të qëndrueshme në modernizimin e ushtrisë së saj. Me një buxhet të lartë për mbrojtjen dhe me akses të pakufizuar në teknologji ushtarake të avancuar nga partnerët perëndimorë, Greqia disponon një forcë të trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe të pajisur me mjete të afta për operacione të ndërlikuara në çdo terren. Ajo nuk e fsheh interesin për të ruajtur një avantazh strategjik në jug të Shqipërisë dhe në Detin Jon.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka mbetur e pambrojtur, si një ishull i çarmatosur në një oqean të armatosur. Mungesa e kapaciteteve mbrojtëse nuk është as spontane, as e pashmangshme. Është rezultat i një politike të qëllimshme të brendshme që i ka dhënë përparësi “paqes me çdo kusht”, dhe një diplomacie që ka besuar se miqësitë ndërkombëtare mund të zëvendësojnë mburojën kombëtare.
Ky është një gabim strategjik. Asnjë aleancë nuk mund të garantojë sigurinë e një vendi që vetë nuk ka vullnet të mbrojë veten. NATO nuk është një zëvendësim për ushtrinë kombëtare, por një sistem ku çdo anëtar kontribuon përmes kapaciteteve të tij reale.
Shqipëria sot gjendet përballë një nevoje të domosdoshme: të dalë nga kjo fazë e pafuqisë së vetëimponuar dhe të ndërtojë një ushtri moderne, efektive dhe të frikshme për çdo armik potencial. Në një rajon ku fuqia ushtarake përcakton peshën politike dhe respektin ndërkombëtar, Shqipëria nuk mund të mbetet më simbolikisht neutrale, kur rreziqet janë realisht aktive.
Shkaqet e çarmatosjes shqiptare – një gabim historik
Pas viteve ’90, Shqipëria ra pre e një politike ndërkombëtare dhe një logjike të brendshme që e shihnin vendin si një “rast i veçantë”, të papjekur për fuqizim ushtarak, të rrezikshëm për rajonin nëse do të ndiqte një strategji të vërtetë të mbrojtjes kombëtare. Tranzicioni i dhunshëm, kolapsi i institucioneve, rrëzimi ekonomik dhe anarkia e vitit 1997 u përdorën si pretekst për të instaluar në mënyrë të heshtur një doktrinë të çarmatimit të qëllimshëm, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.
Perëndimi – veçanërisht pas krizës së vitit 1997 – e trajtoi Shqipërinë si një “shtet problematik” që duhej të stabilizohej përmes kontrollit dhe kufizimit, jo përmes fuqizimit të kapaciteteve të veta. Në vend që të ndihmohej për të ndërtuar një ushtri moderne dhe efikase, Shqipëria u orientua drejt misioneve simbolike paqeruajtëse dhe e humbi rolin e saj si një aktor real në arkitekturën e sigurisë në Ballkan.
Çarmatimi nuk ishte vetëm fizik – ishte edhe psikologjik e institucional
Procesi i çarmatosjes shqiptare nuk ndodhi vetëm në depot e armëve – ndodhi edhe në mendjen e klasës politike dhe në strukturat e shtetit.
Ministria e Mbrojtjes u reduktua në një strukturë administrative, që merrej kryesisht me marrëdhënie ndërkombëtare, logjistikë dhe procedura tenderimi. Strategjia mbrojtëse kombëtare mbeti në letër, pa buxhet, pa vizion dhe pa zbatim.
Forcat e Armatosura Shqiptare u reduktuan në funksione ceremoniale dhe në pjesëmarrje sporadike në misione të NATO-s, pa një kapacitet të pavarur për mbrojtje territoriale. Njësitë taktike u rrudhën, komandat operative u fragmentuan dhe rekrutimi ushtarak pothuajse u zhduk.
Akademitë ushtarake dhe sistemi i edukimit mbrojtës u dobësuan deri në zhdukje. Gjeneratat e reja nuk u trajnuan më si oficerë strategjikë të mbrojtjes kombëtare, por u kthyen në “administratorë ushtarakë” të rregullave ndërkombëtare.
Doktrina ushtarake kombëtare u braktis dhe u zëvendësua me një doktrinë të vetëkënaqësisë diplomatike, që besonte se statusi i anëtarit të NATO-s mjaftonte për siguri.
Iluzioni NATO – zëvendësimi i mbrojtjes kombëtare me retorikë integrimi
Në vitin 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ky ishte një sukses diplomatik, por edhe një pikë kthese fatkeqe në strategjinë e brendshme të sigurisë. Në vend që anëtarësimi në NATO të përdorej si bazë për forcim të mbrojtjes dhe për integrim të plotë në strukturat ushtarake të aleancës, ai u përdor si justifikim për mosveprim.
Klasa politike shqiptare krijoi një iluzion të rrezikshëm: se “tani që jemi në NATO, nuk kemi nevojë për ushtri të fortë.” Kjo qasje ishte jo vetëm naive, por edhe kundërvlerë me vetë filozofinë e aleancës atlantike, ku çdo shtet anëtar ka detyrimin të jetë mbrojtës i vetes dhe kontribuues i përbashkët në mbrojtjen kolektive.
Në realitet, NATO nuk është një kompani sigurimi e përgjithshme. Ajo është një aleancë ku anëtarët mbrojnë njëri-tjetrin në bazë të kapaciteteve që secili ofron. Një anëtar pa ushtri të funksionshme është një hallkë e dobët – dhe Shqipëria, për fat të keq, ka zgjedhur të jetë pikërisht kjo hallkë.
Kostoja e çarmatimit: Pavarësi e cënuar dhe mungesë ndikimi
Çarmatimi nuk është vetëm çështje teknike apo buxhetore – ai ka pasoja të rënda gjeopolitike:
Shqipëria ka humbur pavarësinë strategjike për të ndikuar në çështjet rajonale. Në çdo krizë në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut, ajo është e detyruar të reagojë me deklarata politike, jo me veprime konkrete.
Nuk ka ndikim real në vendimmarrjen e NATO-s, sepse nuk ofron kapacitete të matshme në mbrojtje dhe mbetet thjesht një pjesëmarrës formal.
Shqiptarët në rajon ndihen të pambrojtur, sepse vendi amë nuk ka aftësi t’u japë garanci reale për sigurinë dhe mbështetjen në raste krizash.
Koha për të pranuar: Çarmatimi ishte gabim. Tani duhet korrigjuar.
Është koha për të pranuar me kurajë se çarmatimi i Shqipërisë ka qenë një gabim historik, me pasoja të rënda për dinjitetin kombëtar, për sigurinë shtetërore dhe për rolin e Shqipërisë në rajon.
Ky gabim mund të korrigjohet vetëm me një vizion të ri mbrojtjeje kombëtare, që e sheh fuqizimin ushtarak jo si kërcënim për paqen, por si garanci për stabilitetin. Shqipëria ka burimet njerëzore, pozicionin gjeostrategjik dhe mbështetjen e aleatëve për të ndërtuar një ushtri moderne dhe efektive. I mungon vetëm një gjë: vullneti politik.
Dhe koha për ta ushtruar këtë vullnet është tani – para se historia të përsëritet, por pa mundësinë për t’u mbrojtur.
Përballja me Serbinë: E afërt, e pashmangshme, e papërgatitur
Në horizontin gjeopolitik të Ballkanit, përballja mes Serbisë dhe shqiptarëve nuk është më një çështje “nëse”, por “kur”. Ajo po afrohet me hapa të shpejtë dhe me sinjale gjithnjë e më të qarta, ndërsa Shqipëria gjendet e papërgatitur përballë një skenari që, në mungesë të parandalimit ushtarak, mund të marrë përmasa të rënda për sigurinë kombëtare.
Serbia ka kaluar më shumë se një dekadë duke ndërtuar me këmbëngulje kapacitetet e saj ushtarake dhe duke modernizuar çdo hallkë të sistemit të saj të mbrojtjes e sulmit. Sot, Beogradi nuk është më thjesht një qendër politike me retorikë nacionaliste, por një qendër ushtarake me potencial real për konflikt. Armatimi i Serbisë nuk është simbolik – ai është funksional, strategjik dhe përgatitor për skenare lufte të pjesshme ose të përgjithshme.
Kapacitetet e reja serbe: Një kërcënim real për rajonin
Dronë luftarakë të teknologjisë kineze (CH-92A dhe CH-95), të aftë për sulme precize, mbikëqyrje dhe operacione ndëshkuese brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.
Sisteme raketore tokë-ajër dhe tokë-tokë të furnizuara nga Rusia, përfshirë kompleksin “Pantsir-S1” dhe sisteme të tjera hibride që mbulojnë të gjithë territorin e Kosovës me rreze goditjeje.
Flotë e re avionësh luftarakë, përfshirë MiG-29 të modernizuar nga Rusia dhe blerje të fundit nga Franca, të cilat shërbejnë për dominim ajror në rast konflikti lokal.
Trajnime të përbashkëta me Moskën, jo vetëm në teknologji dhe logjistikë, por në luftë hibride, propagandë, cyber warfare, infiltrime dhe destabilizim të zonave etnike të përziera.
Shërbime inteligjente të fuqishme, të lidhura ngushtë me strukturat ruse dhe me rrjete të aktivizuara në veri të Kosovës, në Maqedoninë e Veriut dhe në boshtin e vjetër serbo-rus të Ballkanit.
Në të njëjtën kohë, Serbia ka ngritur një makineri propagandistike, me ndikim në media ndërkombëtare, think tank-e të sponsorizuara dhe lidhje me grupe të ekstremit të djathtë në Europë, me qëllimin e vetëm: të përgatisë terrenin për një ndërhyrje të arsyetuar si “mbrojtje e serbëve” në Kosovë ose gjetkë.
Shqipëria: një shtet i pambrojtur në një rajon të tensionuar
Përballë këtij zhvillimi alarmant, Shqipëria vazhdon të funksionojë si një vend që ka luksin e paqes së përhershme. Pa sistem raketor, pa mbrojtje ajrore, pa rezerva të mirëfillta armatimi, pa një shtab të përgatitur për luftë dhe pa një zinxhir komandues të testuar në kushtet e emergjencës, vendi ynë është në një pozitë më tepër simbolike se reale në rast të një përshkallëzimi të situatës në Kosovë.
Nëse nesër ndodh një konflikt në veri të Kosovës – dhe ai është realisht i mundshëm – Shqipëria nuk ka sot kapacitetet minimale për të ndërhyrë ushtarakisht në mënyrë të organizuar dhe efektive, në mbrojtje të Kosovës apo të vetes. Çdo reagim do të varej nga ndërhyrja e plotë dhe e menjëhershme e aleatëve të NATO-s, një proces që kërkon kohë, koordinim dhe aprovim të strukturave të ndërlikuara ndërkombëtare.
Por pyetja është: A ka Shqipëria kohë për të pritur kur dikush tjetër është në rrezik, apo kur vetë kufijtë e saj janë të hapur?
NATO mbron ata që mbrojnë veten
Një nga keqkuptimet më të mëdha strategjike që ka ndjekur politika shqiptare është besimi se anëtarësimi në NATO përbën garanci absolute për mbrojtjen e çdo centimetri të territorit kombëtar. Por realiteti është ndryshe. NATO është një aleancë ushtarake e ndërtuar mbi parimin e kontributit të ndërsjellë. Çdo shtet është i detyruar të ketë kapacitetin e tij minimal për vetëmbrojtje, për të qenë partner i besueshëm dhe funksional në një reagim të përbashkët.
Shqipëria sot nuk mbron dot as kufijtë e saj tokësorë, e jo më të jetë faktor stabiliteti për shqiptarët në rajon. Nuk ka një sistem efektiv mbrojtjeje ndaj sulmeve ajrore, nuk ka rezerva operacionale për mobilizim, nuk ka flotë detare funksionale për mbrojtje bregdetare, dhe mbi të gjitha, nuk ka një plan kombëtar të gatshëm për menaxhimin e një konflikti në kufi apo në Kosovë.
Përballja është e pashmangshme. Vetëm përgatitja e ndalon luftën.
Në çdo analizë serioze të sigurisë në rajon, përballja mes Serbisë dhe faktorit shqiptar është e pashmangshme nëse nuk ndërtohet një balancë reale force. Historia ka treguar se pa forca të barabarta, paqja është vetëm pauzë, jo siguri.
Për të shmangur luftën, Shqipëria nuk duhet të jetë më “shtet që shpreson” – por shtet që parandalon. Dhe parandalimi ndërtohet vetëm përmes fuqisë ushtarake.
Strategjia shekullore e fqinjëve: Një Shqipëri pa forcë ushtarake
Që prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, strategjia e fqinjëve të saj, në veçanti Serbisë dhe Greqisë, ka qenë e përqendruar rreth një qëllimi konstant dhe të pandryshuar: të mos lejohet formimi i një shteti shqiptar të fuqishëm dhe të vetëmbrojtur ushtarakisht. Kjo strategji nuk është e re, por e përpunuar dhe e aplikuar me kujdes në forma të ndryshme gjatë gjithë shekullit XX dhe më tej, duke u përshtatur me rrethanat historike, ndërkombëtare dhe gjeopolitike.
Serbia: Një qëllim i pandryshuar nëpër dekada – nënvleftësimi dhe frenimi i faktorit shqiptar
Pas humbjes së kontrollit mbi Kosovën në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, Serbia nuk ka hequr dorë kurrë nga ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin në territoret e banuara nga shqiptarë. Për këtë arsye, qëndrimi i Beogradit nuk është kufizuar vetëm në mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës, por është shtrirë edhe në një strategji të gjerë rajonale që synon frenimin sistematik të fuqizimit të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Kjo strategji ka përfshirë disa komponentë:
Lobim diplomatik ndërkombëtar kundër armatosjes së Kosovës dhe Shqipërisë, duke paraqitur shqiptarët si faktor destabilizues në rajon. Në forume ndërkombëtare, Serbia ka përdorur narrativën e “Shqipërisë së Madhe” për të frikësuar partnerët perëndimorë dhe për të legjitimuar kufizimin e mbështetjes ushtarake për shqiptarët.
Fuqizim i aparatit të propagandës, me përhapje të dezinformatave që e paraqesin Shqipërinë si një shtet i dështuar, të korruptuar dhe të paaftë për të administruar vetveten, e aq më pak për të qenë një aktor ushtarak serioz.
Destabilizim aktiv i veriut të Kosovës, përmes strukturave paralele, formacioneve të armatosura, sulmeve të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës dhe përpjekjeve për të krijuar një klimë të përhershme tensioni që justifikon prezencën dhe gatishmërinë ushtarake të Serbisë në kufijtë me Kosovën.
Ndihmë e heshtur dhe e vazhdueshme për tensione etnike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht kur shqiptarët atje kërkojnë zgjerim të të drejtave politike e kulturore. Serbia i sheh këto lëvizje si pjesë të të njëjtit projekt kombëtar shqiptar dhe përpiqet të ndikojë përmes strukturave politike dhe agjentëve të saj në rajon për t’i neutralizuar.
Greqia: Diplomacia e heshtur dhe ndikimi përmes varësisë ekonomike
Nëse Serbia ka vepruar me mjete më të hapura dhe konfrontuese, Greqia ka ndjekur një strategji më të sofistikuar, të heshtur dhe afatgjatë, me objektivin për të mbajtur Shqipërinë gjithmonë në një gjendje të varësisë dhe dobësisë ushtarake.
Ndihmat ekonomike dhe investimet e kushtëzuara, të cilat shpesh janë përdorur si mjete për të ndikuar politikën shqiptare në mënyrë indirekte, veçanërisht në çështje të ndjeshme si kufijtë detarë, statusi i minoritetit grek dhe orientimi strategjik i Shqipërisë në raport me armatimet.
Presione diplomatike të vazhdueshme kundër fuqizimit të ushtrisë shqiptare, nën arsyetimin se një rritje e kapaciteteve ushtarake shqiptare mund të “destabilizojë” rajonin ose të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndërshtetërore. Në fakt, Greqia i druhet një Shqipërie të fortë ushtarakisht, e cila do të ishte në gjendje të mbrojë më mirë interesat e saj kombëtare, përfshirë kufijtë detarë dhe çështjet e diasporës çame.
Lobim i vazhdueshëm kundër përfshirjes së Kosovës në nisma ushtarake ndërkombëtare, duke përdorur të drejtën e vetos ose ndikimin brenda strukturave euroatlantike për të bllokuar përfshirjen e Prishtinës në Partneritetin për Paqe apo në programet stërvitore të NATO-s.
Greqia e kupton shumë mirë se një Shqipëri e fortë është një mburojë e natyrshme për Kosovën, për shqiptarët në Maqedoni dhe për interesat kombëtare të Shqipërisë në Detin Jon. Prandaj, strategjia e saj e heshtur ka qenë të ruajë ekuilibrin e vjetër të dobësisë shqiptare në mënyrë që të garantojë avantazhin strategjik grek në rajon.
Një përfundim i qartë: Shqipëria është peng i një strategjie rajonale
Kur analizojmë me kujdes veprimet e Serbisë dhe Greqisë në dekadat e fundit, del në pah një e vërtetë e hidhur: Shqipëria nuk është thjesht e pazhvilluar ushtarakisht për mungesë burimesh apo vullneti të brendshëm, por sepse ka qenë objekt i një strategjie të qëllimshme, të qëndrueshme dhe të suksesshme të fqinjëve, për ta mbajtur jashtë lojës si aktor ushtarak.
Kjo strategji duhet të kuptohet dhe të thyhet. Sepse asnjë vend nuk mund të ndërtojë dinjitet kombëtar nëse nuk ka fuqi për të mbrojtur veten. Dhe asnjë komb nuk mund të jetë i lirë, nëse siguria e tij është gjithmonë në duart e të tjerëve.

Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik. Çarmatimi i saj nuk ishte vetëm një pasojë e rrethanave tranzitore, por një projekt i qëllimshëm, i ushqyer nga naiviteti diplomatik, presioni ndërkombëtar dhe mungesa e vizionit strategjik të klasës politike. Në një rajon që armatoset përditë dhe ku kufijtë mbeten të brishtë, mungesa e një ushtrie funksionale nuk është më thjesht mungesë force – por mungesë vullneti për të qenë i lirë dhe sovran.
Tashmë, përballë një realiteti gjithnjë e më të rrezikshëm, Shqipëria nuk ka më luksin e vetëkënaqësisë. Pa një strategji të re kombëtare për mbrojtjen, pa investime serioze në ushtri dhe pa një ringjallje të vullnetit për të qenë faktor i sigurisë në rajon, rrezikojmë të kthehemi në një vend simbolik në hartë, por të padukshëm në fuqi.
Siguria nuk është luks. Është kushti i parë i dinjitetit. Dhe dinjiteti kombëtar nuk mbrohet me fjalë, por me forcë.