Prokuroria e Posaçme ka paraqitur pretencën për dosjen e njohur si “Sterilizimi”, duke kërkuar dënime të rënda me burg për tre të pandehur. Sipas SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni Ilir Rrapaj duhet të dënohen me nga 10 vite burg secili.
Në rast dënimi, për shkak të gjykimit të shkurtuar, atyre do t’u ulet 1/3 e dënimit, duke përfunduar me 6 vite e 8 muaj burg secili.
Për ish-drejtoreshën juridike të Ministrisë së Shëndetësisë, Marsela Serjanaj, prokuroria kërkoi 3 vite e 6 muaj burg, i cili, me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 2 vite e 4 muaj burg.
Pretenca e SPAK:
• Klodian Rrjepaj – 10 vite burg / përfituar: 6 vjet e 8 muaj
• Ilir Rrapaj – 10 vite burg / përfituar: 6 vjet e 8 muaj
• Marsela Serjanaj – 3 vjet e 6 muaj burg / përfituar: 2 vjet e 4 muaj
Dosja lidhet me hetimin mbi procedurat e dyshuara si abuzive në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në spitale publike.