Ambienti është solemn, axhenda është e ngjeshur dhe qëllimi, sipas zyrtarëve europianë, është i thjeshtë: një samit i shkurtër, i qetë — dhe të evitohen shpërthimet e Donald Trump.
Kjo është atmosfera me të cilin liderët e NATO-s zbresin në Hagë për një samit dyditor, që është menduar më shumë si një skenë e kontrolluar sesa si një hapësirë për strategji të mëdha. Është hera e parë që presidenti amerikan rikthehet në tryezën e aleancës që nga viti 2019, dhe zyrtarët shpresojnë hapur që vizita e tij e shkurtër — më pak se 24 orë në terren — të kalojë pa incidente.
Rreziku është i madh, jo vetëm për shkak të paparashikueshmërisë famëkeqe të Trump-it. Një përshkallëzim dramatik në Lindjen e Mesme — pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane — ka hedhur një hije të rëndë mbi takimin. Kriza nuk figuron në agjendën zyrtare, por tashmë po dominon bisedat private.
“Irani do të jetë një çështje e madhe në këtë samit,” tha një diplomat europian. “Nuk është një temë e mirëfilltë e NATO-s, por liderët duan të flasin me Trump-in për të.”
Për shumicën e aleatëve, fokusi është diplomacia me hapa të kujdesshëm.
“Çfarë do Trump?” pyet Camille Grand, ish-ndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s. “Nuk ka marrë pjesë në një samit të NATO-s që nga viti 2019, dhe është e vështirë të dihet se çfarë kërkon vërtet.” Për të ruajtur parashikueshmërinë, samiti është ndërtuar sa më thjeshte, një komunikatë me një faqe, një seancë pune të vetme dhe një darkë mbretërore. Pa konferenca të gjata shtypi. Dhe sa më pak surpriza.
Qëllimi kryesor i samitit ishte t’u kërkohej vendeve anëtare të rrisnin shpenzimet për mbrojtje, por edhe kjo është zgjidhur paraprakisht.
Trump kishte kërkuar që objektivi i shpenzimeve të ngrihej nga të paktën 2% e PBB-së në 5%, dhe kjo u ra dakord fundjavën që shkoi. Deri në vitin 2035, aleatët do të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për “mbrojtje të fortë” si armë dhe trupa, dhe edhe 1.5% shtesë për investime të lidhura me mbrojtjen si siguria kibernetike dhe lëvizshmëria ushtarake.
E vetmja thyerje në këtë marrëveshje duket të jetë një përjashtim nga Spanja. Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ia atribuoi Trump-it këtë ndryshim: “Falë udhëheqjes së guximshme të Presidentit Donald J. Trump, NATO është në rrugën e duhur për të arritur një angazhim historik,” tha ai të hënën.
Qasja minimaliste ka ndikuar edhe në mënyrën se si aleanca po e trajton çështjen e Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelenskyy pritet të jetë i pranishëm në darkën e së martës në mbrëmje — si një gjest simbolik — por nuk është ftuar në seancën e mbyllur të liderëve ditën e mërkurë. Kjo përbën një ndryshim të madh nga samitet e mëparshme, kur aleanca shfaqej e bashkuar me Zelensky-n pas pushtimit të plotë nga Rusia.
Por armiqësia e Trump-it ndaj presidentit ukrainas tashmë e bën këtë të pamundur.
NATO, në një mënyrë apo në një tjetër, do të rikonfirmojë mbështetjen për Kievin dhe do të përmendë krijimin e një Këshilli të ri Ukrainë-NATO në nivel ministrash të jashtëm të martën. Ndihma për Ukrainën do të llogaritet tani si pjesë e shpenzimeve kombëtare të mbrojtjes, një fitore simbolike. Por nuk ka asnjë fjalë për afate anëtarësimi apo garanci të zgjeruara, pavarësisht deklaratës se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është ende “e pakthyeshme” — dhe kjo nuk po i shpëton askujt.
“Është gjetur një rrugë e mirë, në rrethanat aktuale, për t’i dhënë çështjes së Ukrainës një vend qendror në këtë samit,” tha një zyrtar i lartë gjerman. “Edhe më e rëndësishme është që deklarata përfundimtare përfshin mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve të NATO-s për Ukrainën. Kjo ishte e rëndësishme për ne — donim ta binim dakord këtë mes të 32 vendeve, jo në formate më të vogla.”
Në fund, ky samit ndoshta nuk do të gjykohet për atë që arriti, por për faktin nëse arriti të shmangte një shpërthim të Trump-it kundër aleancës. Kjo, të paktën, është skema./Politico.eu