Cinizmi i Mourinho hesht Ulivierin: “U kritikova për etikën nga një i dënuar për 3 vjet për trukime”
Pas humbjes ndaj Inter, José Mourinho e sheh gotën gjysmë të mbushur dhe vlerëson skuadrën dhe tifozët. “Jam krenar për këtë ekip dhe doja t’i falënderoja me gjithë zemër për të gjithë përpjekjen që kanë bërë”, tha trajneri i Romës për DAZN. Portugezi iu referua, në fakt, fjalimit në mes të fushës në fund të ndeshjes: “Lidhja që djemtë kanë arritur të krijojnë me këta tifozë është e mrekullueshme. Humbjet janë gjithmonë të rënda dhe gjithmonë të vështira – shtoi ai – por unë jam krenar për lojtarët e mi”.
“Sot luajtëm kundër ekipit më të fortë në Itali që është në gjysmëfinale të Champions – vazhdoi Mourinho -. Katër ose pesë lojtarë ishin të lodhur për vdekje sepse ata luajnë gjithmonë. Dybala dhe Belotti pastaj nuk ishin mirë. Sot dikush luajti vetëm me një këmbë dhe dikush me një frakturë ndër brinjë duke bërë infiltrime – shtoi ai -. Falenderoj të rinjtë që punojnë gjithmonë me ne, që kanë dhënë kontributin e tyre. Kur erdha Bove shkoi në huazim te Triestina dhe sot ai luajti kundër Inter”.
SULMI NDAJ RENZO ULIVIERI
Pastaj, Mourinho nuk përdor lojëra fjalësh kur zgjedh t’i përgjigjet presidentit të AIAC, Renzo Ulivieri. Ditët e fundit ish-tekniku i Bologna kishte kritikuar ashpër deklaratat e trajnerit të verdhekuqve pas ndeshjes Monza-Roma. Në atë rast ishte arbitri Chiffi që përfundoi në shënjestër të Special One: “Kritika më e fortë që kam marrë ka qenë gëzimi im më i madh. Sepse është bërë nga një person me tre vite pezullim për baste – shpjegoi Mourinho -. Vetëm në Itali një person i tillë mund të ketë një pozicion të rëndësishëm institucional. Të kritikohem nga dikush i tillë më jep gëzim, sepse më jep sigurinë se jam nga një planet tjetër”.
“Pastaj ka disa episode të ndeshjes me të cilat duhet të merret klubi – vazhdoi Special One duke sulmuar Ulivieri -. Nëse dëshiron, do të flasë. Nuk duhet të jem unë ai që do të flas për këtë. Sepse unë tashmë jam shkatërruar në aspektin e etikës dhe edukimit personal nga një person i ndaluar për tre vjet për baste futbolli dhe jam i lumtur për këtë”.