KAS po shqyrton ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmërinë e rezultatit në qarkun e Elbasanit. Mbledhja u ndërpre për shkak të një përplasje mes relatorit të KAS, Ilir Rusmali dhe përfaqësuesit të PD, Marash Logu.
Debati nisi kur Logu pyeti drejtoreshën për votën e diasporës Jona Josifi për qëndrimet e KQZ në lidhje me paratë e kursyera nga votimi i diasporës. Kjo është kundërshtuar nga KAS me argumentin se nuk është në rendin e ditës.
Pjesë nga debati:
Logu: Ka pasur një deklaratë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve më 10 qershor sipas së cilës komisioneri shtetëror i zgjedhjeve ka kursyer rreth 2 milionë nga kontrata me DHL. Në 12 qershor ka pasur një komunikim tjetër sipas së cilës KQZ nuk do paguajë operatorin postar DHL në asnjë rast kur mungon nënshkrimi apo kur ka vetëm një vizë dhe një pikë. Kostoja për marrjen e një zarfi dhe dërgimin është 37.5 euro. Nëse KQZ ka bërë një vlerësim paraprak që do të kursejë 2 mln euro a do të thotë që ka një vlerësim që të paktën që në 53 mijë raste mungon nënshkrimi i zgjedhësit? Mos e fik tani (mikrofonin). Ça e ke këtë, kujton se s’flas dot pa mikrofon? Kjo ka të bëjë me çështje të integritetit.
Rusmaili: Duhet të vendoset qetësia në sallë, qetësi dhe komunikim korrekt me njëri tjetrin, po flet nga vendi pa leje, kjo tregon nervozizëm. Duhet të qetësohesh dhe përgatitesh të mos krijosh incidente. Nuk janë të mira për procesin, do bëjmë 10 minuta pushim.