Izraeli ka sulmuar pas mesnate centralet bërthamore dhe objekte ushtarake në vende të ndryshme të Iranit. Shpërthime janë raportuar edhe në Teheran. Sulmet u kryen në 5 qytete. Sipas La Repubblica, ushtria izraelite ka sulmuar të paktën 6 baza ajrore rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash i dyshuar në të kaluarën se është përfshirë në teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën centralin bërthamor Natanz, në jug të Teheranit, por edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit.
Sipas mediave, në Teheran, sulmi izraelit goditi disa ndërtesa që strehonin komandantë të lartë ushtarakë iranianë. Një zyrtar izraelit i mbrojtjes tha se sulmi kishte në shënjestër edhe Shtabin e Përgjithshëm iranian, përfshirë shefin e shtabit, dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë. “Është gjithnjë e më e mundshme që të gjithë të jenë eliminuar”, tha zyrtari. Shkencëtari bërthamor Mohammad-Mehdi Tehranchi dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Fereidoun Abbasi, u vranë në sulme. Raportohet se është vrarë gjithashtu edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”. Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.
“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.
Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”, shtoi ai.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha në një deklaratë se Izraeli kishte “lëshuar dorën e tij të ligë dhe të përgjakshme” në një krim kundër Iranit dhe se do të kishte “një fat të hidhur për veten”. “Regjimi sionist i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm”, tha udhëheqësi iranian Ali Khamenei, duke përsëritur se Izraeli “do të vuajë një ndëshkim të rëndë”, raportoi Irna.
Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se Irani ka lëshuar më shumë se 100 dronë drejt Izraelit në orët e fundit, pasi vendi u zotua për hakmarrje për sulmet e Izraelit.
Zëdhënësi tha se 200 avionë luftarakë izraelitë morën pjesë në sulmet ndaj më shumë se 100 objektivave në Iran gjatë natës. Izraelin e presin “disa orë të vështira”, thanë ata, sipas Reuters.