Te Milan do të ketë revolucion në çdo repart, me të gjithë futbollistët në dyshim për shkak të ardhjes së teknikut Massimiliano Allegri, i cili dëshiron të formësojë një skuadër që të mund të përmbushë idetë e tij taktike. Në repartin ofensiv del emri i Dusan Vlahovic.
Allegri kërkon Vlahovic
Allegri dhe Vlahovic mund të ribashkohen së shpejti, këtë herë te Milan. Pas periudhës së kaluar së bashku te Juventus, edhe pse jo me paraqitje të mëdha nga ana e sulmuesit, Allegri, sipas asaj që raporton Tuttomercatoweb, do t’i kishte kërkuar drejtuesve të kuqezinjve të marrin në konsideratë Dusan Vlahovic. Serbi është në dalje nga Juventusi dhe tratativa mund të jetë e lehtë. Në Milano ai do të gjente sërish teknikun Allegri që e njeh mirë dhe një ambient që dëshiron të rikthehet te suksesi, ashtu si ai vetë.
Po, por me një kusht
Mbi sulmuesin aktualisht në radhët e Juventus rëndon një pagë prej 12 milionësh, e cila po tremb të gjithë të interesuarit. Edhe Milan është i stepur nga kjo situatë, dhe pikërisht për këtë arsye kuqezinjtë do t’i kenë kërkuar sulmuesit të ulë pretendimet për pagën, nëse do të hapej një negociatë me Juventus. Allegri e do sërish sulmuesin e tij, pavarësisht pranisë së Gimenez, që ka mbërritur në janar, dhe ideja “Vlahovic te Milani” mund të marrë hov së shpejti.