Paris Saint-Germain ka investuar 2,3 miliardë euro në 14 vite përpara se të fitonte Champions League. Është një shumë marramendëse e derdhur në tregun e futbollistëve në formë komisionesh transferimi nga Qatar Sports Investments, që në vitin 2011 bleu klubin dhe e çoi në majën e Europës, pasi kishte konsoliduar dominimin në Francë (ka fituar 11 tituj kampionë). Operacioni për pushtimin e pushtetit sportiv i presidentit Nasser Al-Khelaifi arriti kulmin, ironikisht, pikërisht kur klubi zgjodhi një kthesë të fortë nga politika e ndjekur për një kohë të gjatë dhe që kishte kushtuar shumë, tepër në raport me ambiciet shpesh të parealizuara. Vetëm një herë gjatë kësaj periudhe (në vitin 2020, në kulmin e pandemisë së Covid-it) PSG arriti në finalen e kompeticionit më të madh europian për klube, por e humbi ndaj Bayern Munich.
Ajo që nuk arriti të realizonte pa kursyer asgjë, duke afruar emra si Mbappé, Neymar, Messi, Ibrahimovic, Beckham (vetëm disa nga yjet e paguar me shifra marramendëse, përfshirë Di Maria dhe Cavani), ia doli duke ia besuar drejtimin Luis Enrique, një trajner me përvojë dhe kompetencë, i cili udhëhoqi një grup talentesh të rinj që kishin uri për fitore (mbi të gjithë Doué, autor i një dopiete, dhe pastaj Kvara i marrë nga Napoli në janarin e kaluar). Dhe e poshtëruan Interin në Allianz Arena.
Blerjet më të kushtueshme të PSG me Qatar Sports Investments
Që nga viti 2011, nën pronësinë e Qatar Sports Investments, klubi ka shpenzuar 2,3 miliardë euro për të ndërtuar skuadra të forta të pasuruara me yje të futbollit ndërkombëtar. Një shumë e ngjashme me atë të Manchester City, klubi anglez i financuar nga Abu Dhabi United Group, një kompani investimi në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan.
Shumë që askush tjetër nuk mund ta përballojë në Europë dhe, në bazë të rezultateve, nuk është domosdoshmërisht garanci suksesi. Nuk qe e tillë kur u paguan 222 milionë euro në vitin 2017 për të blerë Neymar nga Barcelona ose 180 milionë euro për Mbappé nga Monaco. Pas afrimit të Messi-t në vitin 2021, PSG regjistroi shpenzimet më të larta për paga në historinë e futbollit – 728 milionë euro, që përbënin 109% të të ardhurave të klubit.
PSG, 10 transferimet më të shtrenjta gjatë presidencës katariote:
Neymar – 222 milionë (Barcelona, 2017)
Kylian Mbappé – 180 milionë (Monaco, 2018)
Randal Kolo Muani – 75 milionë (Eintracht Frankfurt, 2023)
Khvicha Kvaratskhelia – 70 milionë (Napoli, 2025)
Gonçalo Ramos – 65 milionë (Benfica, 2023)
Edinson Cavani – 64,5 milionë (Napoli, 2013)
Angel Di Maria – 63 milionë (Manchester United, 2015)
Achraf Hakimi – 60 milionë (Inter, 2021)
Manuel Ugarte – 60 milionë (Sporting CP, 2023)
João Neves – 60 milionë (Benfica, 2024)
Mauro Icardi – 50 milionë (Inter, 2020)
Këtyre u shtohen edhe investime të tjera që shënuan transaksione financiare, por që rezultuan pak frytdhënëse në aspektin taktik dhe të objektivave të arritura. Ndër to janë:
David Luiz – 49,5 milionë (Chelsea, 2014)
Lucas Hernández – 45 milionë (Bayern Munich, 2023)
Thiago Silva – 42 milionë (Milan, 2012)
Javier Pastore – 42 milionë (Palermo, 2011)
Lucas Moura – 40 milionë (São Paulo, 2013)
Leandro Paredes – 40 milionë (Zenit, 2019)
Thilo Kehrer – 37 milionë (Schalke 04, 2018)
Julian Draxler – 36 milionë (Wolfsburg, 2017)
Strategjia e re fituese: lojtarë me talent dhe funksionalë
PSG fitoi kur ndaloi së qeni PSG. Pra, kur ndaloi së ndjekuri yjet dhe emrat e mëdhenj, por i drejtoi sytë nga lojtarë të rinj dhe funksionalë – gjithsesi të fortë dhe të kushtueshëm – arriti atje ku deri më tani kishte dështuar. Fitorja në Mynih e dëshmoi këtë. Pas largimeve të Neymar, Lionel Messi dhe Kylian Mbappé, skuadra u rindërtua rreth talenteve më të rinj dhe me shifra më të ulëta (edhe pse sërish të konsiderueshme). Aftësia e Luis Enrique për të nxjerrë në pah cilësitë shpërthyese të Ousmane Dembélé bëri pjesën tjetër, duke e kthyer atë në një nga kandidatët më të fortë për Topin e Artë të ardhshëm.
Emrat që bien në sy mbi të gjithë:
Désiré Doué (19 vjeç, u ble për 50 milionë nga Rennes në verën e vitit 2024)
Kvicha Kvaratskhelia (24 vjeç, u mor në janar të këtij viti nga Napoli për 70 milionë)
João Neves (20 vjeç, nga Benfica për 40 milionë në verën e vitit 2024)
Nuno Mendes (22 vjeç, nga Sporting Lisbona për 38 milionë në vitin 2022)