Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi ditën e sotme se si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, krimi futi në parlament 28 deputetë. Në një konferencë për mediat, Berisha ka denoncuar me emra konkretë nga kandidatët e PS-së; Sara Mile, Arkend Balla, Ani Dyrmishi dhe Blendi Xhabafti. Berisha tha se vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara.
“11 Maji, do ndalem vetëm në një aspekt. Në aspektin me të cilin fillova. Ky shtet është ndërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar. Krahas patronazhistëve, krahas blerjes publike të votave, bota e krimit në këto zgjedhje ishte më zyrtare se kurrë. Ishte zyrtare! Ajo veproi në ombrellën e prokurorisë dhe politikës, Edi Ramës, me të gjithë mjetet e veta. Bandat në qytetet e mëdha të vendit, por jo vetëm ato, arritën të fusin në parlament, të punojnë për 28 deputetë. Para jush, në fushatë, unë kam denoncuar bashkërendimin e bandave të Durrësit dhe Elbasanit, darkat e shpeshta tek një lokal në Shkëmbin e Kavajës, në mos gabohem diçka me kuajt ka ky lokal, ku darkonin së bashku Ergys Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela, Vangjush Dako. Tani, pas këtij denoncimi, ata u transferuan nga lokali Kodra e Kuajve, tek shtëpia e Dakos në Bllok. Aty janë organizuar të gjitha takimet.