Një çift i ri që punonte për Ambasadën Izraelite është qëlluar për vdekje jashtë një muzeu hebre në Washington DC.
Policia thotë se viktimat, të cilët janë identifikuar si Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim, janë vrarë nga një burrë që bërtiste “Liri, liri për Palestinën”.
I dyshuari është në paraburgim.
Çfarë ndodhi?
Në orën 21:08 me orën lokale të së mërkurës, policia mori disa telefonata për një të shtënë jashtë një eventi në Capital Jewish Museum në qendër të Washington DC.
Një burrë dhe një grua u gjetën pa ndjenja dhe pa shenja jete në vendngjarje dhe më vonë vdiqën.
Departamenti i Policisë Metropolitane (MPD) tha se çifti po largohej nga eventi në muze në rrugën 3rd St NW, një zonë me shumë vende turistike, muze dhe godina qeveritare, përfshirë zyrën rajonale të FBI-së në Washington.
Policia pretendon se i dyshuari është Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Chicago, i cili po merret në pyetje në paraburgim.
Shefja e policisë Pamela Smith tha se ai është parë duke lëvizur nervoz përpara muzeut përpara se të qëllonte me një armë zjarri drejt një grupi prej katër vetash.
I dyshuari më pas hyri brenda muzeut, ku u ndalua. Policia tha se ai bërtiste “Liri, liri për Palestinën” ndërsa ishte në paraburgim.
Policia e Uashingtonit po udhëheq hetimin. FBI tha se po shqyrton “lidhje me terrorizëm të mundshëm ose motivim të bazuar në krim urrejtjeje”.
Çfarë dimë për viktimat?
Ambasada e Izraelit në SHBA identifikoi çiftin e vrarë dhe tha se stafi i saj “ishte i shkatërruar dhe i dëshpëruar nga vrasja e tyre”.
“Asnjë fjalë nuk mund të përshkruajë thellësinë e dhimbjes dhe tmerrit për këtë humbje shkatërruese. Zemrat tona janë me familjet e tyre, dhe ambasada do të jetë pranë tyre gjatë kësaj kohe të tmerrshme.”
Ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, tha se z.Lischinsky ishte gati t’i propozonte zonjushës Milgrim.
“Djali i ri kishte blerë një unazë këtë javë me qëllimin për t’i propozuar të dashurës javën tjetër në Jeruzalem,” tha ai në një konferencë për shtyp.
“Ata ishin një çift i bukur.”
Një rabin në Washington që kishte takuar çiftin tha “ishin njerëz të mirë dhe të dashur”.
Komiteti Hebraik Amerikan (AJC), organizator i eventit në muze, tha: “Ata na u morën. Ata kishin gjithë jetën përpara tyre.”
Gjermania gjithashtu konfirmoi se z.Lischinsky kishte pasaportë gjermane.
The Times of Israel raportoi se ai ishte zhvendosur në Izrael si adoleshent, përpara se të transferohej në Washington DC për të punuar për ambasadën izraelite.
Çfarë thanë dëshmitarët?
Dëshmitarët përshkruan çfarë ndodhi pas sulmit jashtë Capital Jewish Museum.
“Rreth orës 09:07 dëgjuam të shtëna, dhe pastaj hyri një djalë që dukej shumë i shqetësuar dhe menduam se thjesht kishte nevojë për ndihmë dhe për strehim,” tha Katie Kalisher.
Yoni Kalin, i cili gjithashtu ndodhej në event, tha: “Njerëzit po e qetësonin, i jepnin ujë, po kujdeseshin për të. Nuk e dinim që ai ishte personi që kishte ekzekutuar njerëz me gjakftohtësi.”
“Ai ishte autori. Kur erdhi policia, ai tha: ‘Unë e bëra këtë. Jam i paarmatosur.’
“Ai nxori një shall tradicional palestinez të kuq dhe tha: ‘E bëra këtë për Gazën. Liri për Palestinën. Ka vetëm një zgjidhje. Revolucioni i Intifadës’, dhe vazhdonte të bërtiste ‘liri për Palestinën’.”
Çfarë ishte eventi?
Eventi në Capital Jewish Museum ishte promovuar si një ngjarje që bashkonte të rinjtë hebrenj profesionistë dhe komunitetin diplomatik.
Organizatori, Komiteti Hebraik Amerikan (AJC), tha se ishte i hapur për anëtarët e komunitetit diplomatik në DC. Tema e eventit ishte e shpallur si “ta kthesh dhimbjen në qëllim”.
Përshkrimi i eventit thoshte se ftonte organizatorë ndihme humanitare që po përgjigjen ndaj krizave humanitare në Lindjen e Mesme, përfshirë Gazën.
Orari i eventit ishte i shpallur publikisht, por vendndodhja u nda vetëm me ata që u regjistruan për të marrë pjesë.
Çfarë tha Donald Trump?
Presidenti Donald Trump e dënoi sulmin dhe e quajti antisemitik.
Duke postuar në platformën e tij sociale Truth Social, ai tha: “Këto vrasje të tmerrshme në DC, bazuar qartësisht në antisemitizëm, duhet të ndalen, tani!
“Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA. Ngushëllime për familjet e viktimave.
“Sa e trishtueshme që ndodhin gjëra të tilla! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Çfarë tha Izraeli?
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ishte “i tërbuar nga vrasja e tmerrshme antisemite” e viktimave.
“Zemra ime pikëllohet për familjet e të rinjve të dashur, jeta e të cilëve u ndërpre përnjëherë nga një vrasës antisemit i neveritshëm,” tha ai.
“Kam dhënë urdhër që të shtohet siguria në misionet izraelite në të gjithë botën dhe për përfaqësuesit e shtetit.”
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar tha se vdekja e çiftit ishte një “pasojë e drejtpërdrejtë e nxitjes toksike dhe antisemitike kundër Izraelit dhe hebrenjve në mbarë botën që ka vijuar që nga masakra e 7 tetorit”.
Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza si përgjigje ndaj sulmit përtej kufirit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Të paktën 53,475 persona janë vrarë në Gaza që nga ajo kohë, përfshirë 3,340 që nga rifillimi i ofensivës izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit.
BBC, përshtati në shqip