Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se zgjedhjet e 11 majit nuk do të njihen kurrë pasi sipas tij janë zhvilluar në mënyrë antiligjore.
Berisha tha më tej se e vetmja zgjidhje për shqiptarët që të votojnë të lirë është krijimi i një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja. Ai u shpreh më tej se kanë qindra dokumente që vërtetojnë shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale.
“Krimineli në krye të bashkisë është mentori i kriminelëve të tjera për të realizuar ‘trenin bullgar’ në mënyrën më antiligjore, më antikushtetuese. Pra kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës, fytyra e vërtetë e këtyre zgjedhjeve, të cilat kurrë nuk do njihen. Ata që mendojnë se mund të imponojnë qytetarëve shqiptarë në këtë mënyrë vullnetin e tyre dhe mund të qëndrojnë mbi karrige, gabojnë shumë shumë rëndë. Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët votojnë të lirë.
Ky është qëndrimi ynë. Ne kemi me qindra dokumente të pafundme të shkatërrimit, të shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale. Pra kjo është farsa e vërtetë elektorale dhe ne duam që shqiptarët të votojnë dhe të mos vuajnë farsën elektorale dhe pasojat e saj. Ne do qëndrojmë me të gjithë potencialin tonë, fuqinë tonë, që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë të një vendi dhe jo të përjetojnë farsa të turpshme elektorale që janë të njëjta me ato të Zimbabveve 30 vite më parë.
Besoj se e keni të qartë, e shihni vetë. Gjithçka janë rezultate të paracaktuara. Unë mund t’u them ju se do shihni kuti votimi në të cilat 200 fletë njëra pas tjetrës kanë të njëjtën palosje. Ose është ‘treni bullgar’ që është e njëjta gjë pastaj.”, tha Berisha.