Tom Cruise nuk është gati të mbyllë karrierën e tij të gjatë në Hollywood.
Kur u pyet të dielën në premierën në Nju Jork të filmit të tij të ri “Mission: Impossible — The Final Reckoning” për një koment që kishte bërë dy vite më parë – se shpreson të vazhdojë karrierën deri në moshën e Harrison Ford (82 vjeç) – aktori shkoi edhe më tej.
“Në fakt, unë thashë që do të bëj filma deri në të 80-at,“ i tha Cruise Hollywood Reporter-it. “Por tani them që do t’i bëj deri në të 100-at.”
Cruise, i njohur për faktin se i realizon vetë shumicën e skenave të rrezikshme në filmat e tij, shtoi: “Nuk do të ndalem kurrë. As me filma aksion, as me dramë, as me komedi. Jam i entuziazmuar!”
Në premierë, Cruise u shpreh gjithashtu se nuk do të ketë më filma të tjerë në serinë “Mission: Impossible”: “Është fundi! Nuk quhet kot ‘Final’.”
Por në një intervistë të fundit për “Today Show Australia”, ai zbuloi se është duke menduar për vazhdime të filmave të tij të suksesshëm:
“Po, jemi duke menduar e diskutuar për shumë histori – çfarë mund të bëjmë dhe çfarë është e mundur,” tha ai. “M’u deshën 35 vjet për të sjellë ‘Top Gun: Maverick’ – kështu që po diskutojmë për ‘Days of Thunder’, ‘Top Gun: Maverick’ dhe të tjera.”